Myslimanët e Europës, sondazhi: 40% ndjehen të diskriminuar

22.09.2017 14:55

Diskriminimi kundër myslimanëve të Europës po rritet....

Diskriminimi kundër myslimanëve të Europës po rritet. 40 për qind prej tyre thonë se janë përballur me trajtime të padrejta në rastet kur kanë kërkuar një vend pune, apo një shtëpi, por edhe në shërbimet publike si edukimi apo kujdesi shëndetësor. Sondazhi i zhvilluar nga fundi i 2015 dhe fillimi i 2016 i Agjencisë për të Drejtat e Njeriut të BE-së ka pasur në qendër 10.500 myslimanë në 15 shtete europiane si Franca, Gjermania, Holanda, Spanja, Suedia dhe Britania e Madhe. 

Pjesa më e madhe e atyre që janë trajtuar padrejtësisht në pesë vitet e shkuara, sipas vëzhgimit, mendojnë se shkak për këtë ka qenë emri, ngjyra e lëkurës apo pamja e tyre.

Rreth 17 për qind thonë se ndihen të diskriminuar në mënyrë të drejtpërdrejtë prej besimit të tyre. Rreth 40 për qind e grave që mbajnë shami apo perçe në publik, thonë se ajo është shkak i diskriminimit të tyre kur kërkojnë një vend pune.

47 për qind e burrave të ndaluar nga policia besojnë se shkak ka qenë veshja e tyre tradicionale.

Raporti vjen në një kohë tensionesh të larta, të ndezura akoma më shumë nga kriza e emigrantëve, vala e sulmeve terroriste dhe rritja e partive anti-islam në Francë, Holandë dhe Gjermani.

Sipas raportit, myslimanët e Europës, që përbëjnë rreth 4 për qind të popullatës së kontinentit, kanë një nivel besimi nën mesataren tek institucione si policia apo sistemi i drejtësisë në vendin ku jetojnë.