Botë

Një polic dhe një qytetar të plagosur në Lazarat

17.06.2014 19:09

Vijon gjendja mjaft e tensionuar në Lazarat, kur prej 48 orësh, 800 efektivë të policisë...

Vijon gjendja mjaft e tensionuar në Lazarat, kur prej 48 orësh, 800 efektivë të policisë po përballen me të shtënat e armëve të banorëve të zonës së identifikuar tashmë me kultivimin dhe trafikimin e drogës. Deri më tani, mësohet se janë arrestuar 6 persona nga 26 të kërkuarit për këtë sulm, është plagosur një efektiv policie, si dhe një banor i Lazaratit, si pasojë e të shtënave të armëve. 
 
I pranishëm në vendngjarje, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka shprehur vendosmërinë për ta vijuar operacionin deri në arritjen e qëllimit final, për të asgjësuar të gjithë kanabisin e zonës.
 
Ndërkohë, të djathtët e kanë komentuar aksionin e policisë në Lazarat si një shfaqje mediatike që po bën Qeveria dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke mos e vlerësuar në asnjë moment aksionin, i cili bëhet për herë të parë në këto 23 vite edhe pse dihet botërisht që në Lazarat kultivohet drogë, duke sfiduar hapur Shtetin.
 
Siç shikohet nga pamjet në Lazarat, janë asgjësuar mijëra fidanë kanabisi.  
 
Ndërkaq, burime nga vendngjarja bëjnë me dije se operacioni antidrogë do të vijojë deri në arrestimin e Gate Mahmutaj dhe bandës së tij prej 26 personash, përgjegjës për gjithçka që po ndodh në Lazarat të Gjirokastrës.
 
LULJETA NDOKA