Tërmeti në Meksikë, 273 viktima dhe qyteza të tëra të rrafshuara

22.09.2017 14:18

Bilanci i vdekjeve nga tërmeti i dytë brenda muajit që tronditi Meksikën....

Bilanci i vdekjeve nga tërmeti i dytë brenda muajit që tronditi Meksikën ka mbërritur në 273 e sërish mund të mos jetë ai përfundimtari. Ekipet e shpëtimit po kërkojnë ethshëm nëpër gërmadha për të mbijetuar.

Ndërsa operacionet e shpëtimit kanë hyrë në ditën e tretë, një pjesë e madhe e vëmendjes vazhdon të mbetet e përqendruar tek shkolla në kryeqytet, ku gjatë natës u nxor trupi i pajetë i një mësuese.

Më shumë se 500 trupa ushtarake dhe 200 oficerë policie e vullnetarë kanë punuar pareshtur në atë zonë dhe përpjekjet e tyre u shpërblyen me nxjerrjen e 11 fëmijëve të gjallë.

Besohet se nën rrënoja mund të jetë ende një punonjës i saj. Besohet ndërkohë se mund të jenë edhe 30 persona të bllokuar brenda një blloku 6-katësh apartamentesh dhe zyrash.