Kryeministri Zaev në Nju Jork: Presim datën për negociata me BE-në

22.09.2017 15:13

Me të drejtë presim një hap përpara në integrimin europian në vjeshtë....

Me të drejtë presim një hap përpara në integrimin europian në vjeshtë, duke hequr kushtëzimet e rekomandimit, dhe pastaj presim edhe një datë për fillimin e negociatave, deklaroi kryeministri, Zoran Zaev, në Nju Jork, pas takimit me kryeministrin e Holandës, Mark Rute.

Ai ka theksuar se “Holanda vazhdon mbështetjen e fuqishme për Maqedoninë në rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian. Qeveria e re, e fokusuar në reforma dhe për jetë më të mirë me qytetarët, ka arritur të përmbush disa detyrime thelbësore të kërkuara nga këto bashkësi shumë të rëndësishme. Perspektivat tona janë të rëndësishme për të gjithë anëtarët e BE-së”.

Ndërkohë, kryeministri holandez, Mark Rutte, ka shprehur  përkrahjen e  Holandës në procesin reformues që e ka filluar qeveria e re e Maqedonisë dhe ka përshëndetur hapat e shtetit për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Kryeministri Zaev është takuar edhe me kryeministrin belg, Charles Michel, ndërkaq do të takohet edhe me sekretarin gjeneral të Kombeve të Bashkuara, Guteress, dhe  më pas do të ketë fjalim në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)