Dita Ndërkombëtare e të Sëmurëve nga LKM, kërkohen ilaçe në listën pozitive

22.09.2017 16:02

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Sëmurëve nga Leukemia kronike mieloike....

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Sëmurëve nga Leukemia kronike mieloike, 22 shtatorit, Shoqata e të Sëmurëve sërish kërkoi vendosjen e ilaçit “Nilotinib” në listën pozitive dhe kujdesje më të madhe institucionale për ta.

“Praktikat botërore kanë treguar rezultate të mrekullueshme me përdorimin e ilaçit “Nilotinib” tek pacientët e sëmurë. Mjekësia bashkëkohore në vitin 2006 gjeti zgjidhje për mijëra pacientë duke përdorur këtë ilaç të rregullt, por për fat të keq jo dhe për pacientët në vend. Në Maqedoni akoma nuk është vendosur  ilaçi “Nilotinbib” në listën pozitive”,- deklaroi kryetari i Shoqatës së LKM-së, Pepo Levi.

Numri i të sëmurëve nga Leukemia  nga viti në vit është në rritje e sipër. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, Pepo Levit, në vend ka mbi 100 të sëmurë nga Leukemia, ndërsa rreth 30 prej tyre janë pa terapi adekuate.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Çakarovski, premton se po punohet për të siguruar terapinë e nevojshme për pacientët.

“Ministria e Shëndetësisë në kontinuitet po ndërmerr masa të ndryshme për të siguruar terapinë e nevojshme për këta persona. Ju premtoj se nuk do t’i fshehim këto probleme, por se do të diskutojmë dhe debatojmë në të ardhmen me qëllim që bashkërisht në mënyrë sa më të mirë të zgjidhim problemin e pacientëve”,- tha zëvendësministri i Shëndetësisë, Goce Çakarovski.

Ditën Ndërkombëtare të të Sëmurëve nga Leukemia kronike mieloike sot e shënojnë mbi 109 organizata të ndryshme në mbi 82 vende në botë. (Rexhep Qamili, TVM2)