Raspashovski: “Sanos” nuk ka marrë asnjë para nga buxheti; VMRO-DPMNE pyet kryeministrin: si munden tre punëtorë të ndërtojnë 70 autobusë?
Pronari i Kompanisë “Sanos”, Sllave Raspashovski, i ka quajtur të pavërteta spekulimet....

Pronari i Kompanisë “Sanos”, Sllave Raspashovski, i ka quajtur të pavërteta spekulimet se përmes Kompanisë “Sanos” nga buxheti kanë rrjedhur para shtetërore të destinuara për palë të tretë. Raspashovski me përgjegjësi vërteton se nga viti 2004 “Sanos” nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti.
“Të Gjitha akuzat se ne kemi blerë autobusë të vjetër dhe më pas i kemi përpunuar dhe i kemi plasuar si të rinj është tërësisht gënjeshtër që ka dalë nga mediumet e pamatura. Akuzat se kemi marrë para nga shteti dhe kemi shfrytëzuar mjete materiale nga buxheti shtetëror është tërësisht e pavërtetë. Nga viti 2004 kur jemi pronarë të kësaj kompanie, nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti”,- u shpreh pronari i Kompanisë “Sanos”, Sllave Raspashkovski.
Por, VMRO-DPMNE akuzon kryeministrin, Zoran Zaev, për manipulime me paratë shtetërore. Sipas VMRO-së, Zaevi subvencionon Kompaninë “Sanos” për përfitime të tij personale.
“Qytetarët duan ta dinë se si është e mundur që kompani e cila funksionon në kushte të dështuara dhe ka vetëm tre të punësuar mund të prodhojë 70 autobusë, duke u shpërblyer madje nga Zoran Zaevi me subvencione shtesë. Kush ka fitim nga rotacionet e këtilla që i paralajmëron Zaevi, qytetarët, tre punësuarit në “Sanos” apo ai personalisht?”,- theksoi Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
Pronari i Kompanisë “Sanos” thekson se momentalisht në kompani janë të punësuar 20 persona, por numri i tyre pritet të rritet me ardhjen e materialeve prodhuese, me çka do të rritet edhe kapaciteti i prodhimeve. Të punësuarit janë të angazhuar me kontrata të ndryshme, varësisht nga nevojat e tregut të punës, sqaron Raspashovski. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
