100 ditë qeverisje, Bekteshi: Qytetarët dhe biznesi, i ndjejnë ndryshimet
Mbështetja e komunitetit të biznesit në përgjithësi, sigurimi i kushteve më të mira për biznesin....

Mbështetja e komunitetit të biznesit në përgjithësi, sigurimi i kushteve më të mira për biznesin, si dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve, kanë qenë prioritet i Ministrisë së Ekonomisë, theksoi ministri, Kreshnik Bekteshi, gjatë prezantimit të punës së tij gjatë 100 ditëshit të parë.
Sipas tij, me rebalancin e buxhetit janë rritur mjetet për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe janë marrë një sërë masash për zhvillimin e turizmit vendor. Qytetarët, sipas Bekteshit, mund t’i ndjejnë ndryshimet me anë të kthimit të tarifës së lirë të energjisë elektrike.
“Atë që ua premtuam qytetarëve – kthimin e tarifës së lirë të energjisë elektrike e realizuam në afatin më të shkurtër të mundshëm, në mënyrë që ata të mund të ndjejnë përfitimet e këtyre masave dhe me këtë të njihen nga afër me një qeveri të hapur dhe reformuese. Në 100 ditët e kaluara u miratua plani i tretë aksional për efikasitet energjetik për periudhën prej 3 vjetësh, me çka është realizuar edhe një obligim i Maqedonisë ndaj komunitetit energjetik sa i takon efikasitetit në këtë fushë”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
AUTOSTRADA SHKUP-BLLACË, BEKTESHI: MBETET PRIORITET I KËSAJ QEVERIE
Në lidhje me ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, ministri Bekteshi theksoi se ndërtimi i kësaj autostrade mbetet prioritet kryesor i kësaj qeverie, marrë parasysh shkëmbimin tregtar që ka Maqedonia me Kosovën. Bekteshi tha se në këtë drejtim po punohet në tejkalimin e disa problemeve infrastrukturore.
“Sa i përket projektimit të autostradës, sipas informatave që i kanë dhënë deri tek unë, është problem se duhet të prishen disa prej objekteve ekzistuese. Tani ekspertët në këtë drejtim janë duke punuar në lidhje me atë se çfarë zgjidhje mund të gjejmë që mos të prishin objektet. Megjithatë ajo i mbetet dhe do të mbetet prioritet kryesor sa i përket investimeve kapitale të kësaj qeverie”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Edhe ministrja për Investime të Huaja, Zorica Apostollovska, shpalosi punën e saj të bërë gjatë 100 ditëve të para, ku theksoi se gjatë takimeve me dhjetëra kompani të huaja nga ShBA-të, Kina, India dhe Italia kanë shprehur interesim serioz për të investuar në Maqedoni. (Ersan Pajaziti, TVM2)
