Inspektorati i Vetëqeverisjes Lokale: Ditën e zgjedhjeve nuk do të ketë referendum

22.09.2017 17:53

Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale vendosi t’i anulojë vendimet për organizimin e referendumeve...

Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale vendosi t’i anulojë vendimet për organizimin e referendumeve për vendosjen e emigrantëve në më shumë komuna, që u kërkua të mbaheshin pikërisht në datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 15 tetor.

Siç informon inspektori shtetëror për vetëqeverisje lokale, Rahim Musliu, vendimi deri më tani është sjellë për 12 komuna të cilat në Inspektorat kanë dorëzuar raport prej buletinit publik komunal në të cilin është publikuar referendumi, ndërsa pritet të dorëzohen edhe për dy komuna të tjera. Kushtetutshmëria e këtij vendimi do të dorëzohet për konfirmim në Gjykatën Kushtetuese.

Më 20 shtator, Inspektorati bëri mbikëqyrje inspektuese të jashtëzakonshme në komunat Koçan dhe Shtip, ndërsa më 21 shtator në Gjevgjeli, Kavadar, Negotinë dhe Veles. Edhe gjashtë komuna kanë sjellë vendim për referendum në nivel lokal dhe e kanë njoftuar Inspektoratin për publikim. Ato janë Manastiri, Prilepi, Radovishi, Aerodromi, Gazi Baba dhe Ohri, ndërsa pritet njoftime të tilla të dorëzojnë edhe komunat Karposh dhe Gjorçe Petrov.

“Vendimet e sjella për mbajtjen e referendumit në nivel lokal ndërpriten me vendim dhe do hapet procedurë në Gjykatën Kushtetuese për vërtetimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendimeve të sjella. Me vendimet e sjella do të njoftohen Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Sekretari Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale dhe kryebashkiakët dhe këshillat e 12 komunave të involvuara, ndërsa kryebashkiakët do të kenë për obligim t’i njoftojnë edhe komisionet komunale zgjedhore për aktivitetet e mëtejshme. Vendimi ynë mbështetet në nenin 22 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit askund nuk është theksuar se komunat kanë kompetencë për emigrantët dhe për vendosjen e tyre në vetëqeverisjen lokale”,- deklaroi inspektori shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, Rahim Musliu.