Dita pa automobila, pak biçikleta në Shkup edhe në këtë ditë
Në Ditën Ndërkombëtare pa Automobil, në Shkup nuk u vërejt ndonjë ndryshim....

Në Ditën Ndërkombëtare pa Automobil, në Shkup nuk u vërejt ndonjë ndryshim nga ditët e tjera, njofton TVM2.
Shumica e bulevardeve dhe rrugëve ishin si zakonisht, me trafik të rënduar nga makinat. Madje, shumë qytetarë as që ishin të informuar se çfarë dite është 22 shtatori. Të paktë ishin ata që i lanë makinat në shtëpi për nder të kësaj dite.
“Nuk jam e informuar për këtë ditë, prandaj edhe kam dalë”,- u shpreh një qytetar.
“Nuk jemi të informuar, por e kemi patjetër të dalim, sepse duhet t’i kryejmë obligimet ditore”,- theksoi një qytetar.
“Nuk jam i formuar për këtë, përndryshe do ta kisha respektuar një gjë të tillë, por ndonjëherë e kemi patjetër të dalim me veturë, sepse ndryshe nuk mund të kryejmë punë”,- tha një qytetar.
“Sot kam ardhur me autobus”,- potencoi një qytetar.
“Sot kam dalë në qytet me biçikletë. Mendoj se duhet të respektohet kjo ditë, njerëzit të dalin me biçikleta në vend të veturave sepse nuk është shumë, vetëm një ditë”,- deklaroi një qytetar.
Kryeqendra gjithsesi organizoi defile tradicionale me biçikleta, ku morën pjesë të rinj dhe qytetarë që shoqëruan ambasadorët që tradicionalisht janë pjesë e kësaj fushate.
“Nuk i ngas veturës shumë shpesh, duhet t’i ngasim biçikletës më shpesh për një ambient më të pastër”,- tha një qytetar.
“Duhet më shpesh të ngasim biçikletë. Le t’i lënë pak anash automobilat”,- theksoi një qytetar.
“Sa më shumë që t’i ngasim biçikletave, aq më tepër do ta ruajmë ambientin dhe nuk do ta ndotim ajrin, mendoj së është zgjidha më e mirë biçikleta”,- potencoi një qytetar.
Përveç këtyre çiklistëve në qendër të Shkupit, asnjë komunë apo institucion tjetër nuk ua ndaloi të paktën për këtë ditë përdorimin e veturave zyrtare të punësuarve të tyre. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
