Kuvend, ligji për gjuhët, përplasje VMRO-BDI
Debati rreth projektligjin për përdorimin e gjuhëve ka devijuar në akuza të ndërsjella....

Debati rreth projektligjin për përdorimin e gjuhëve ka devijuar në akuza të ndërsjella për krim dhe korrupsion mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, shkruan TVM2.
Deputeti Milloshovski akuzoi ish-partnerin e Koalicionit për mitmarrje për punësimin e shqiptarëve në administratë dhe se ky ligj propozohet para zgjedhjeve për të mbuluar korrupsionin.
“Kemi informatë se për pjesën më të madhe të punësimeve sipas MO-së, unë di njerëz nga Kërçova dhe vende të tjera të cilat është dashur të paguajnë nga 4000 ose 5000 euro për t’u punësuar si shqiptarë sipas marrëveshjes kornizë”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Pretendimet e Milloshovskit i hodhi poshtë koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi. Ai ftoi Milloshovskin që të mos fshihet pas foltores së Kuvendit dhe imunitetit. “Dil denonco jashtë kuvendit!”,- i tha Alimi kolegut nga VMRO.
“Ky deputet frikacak vetëm keqpërdor këtë foltore duke e ditur se nga këtu nuk mund të ngrihet procedurë për shpifje apo diçka tjetër, nëse ke guxim dil, thirri gazetarët, jepe një deklaratë për Izet Mexhitin, për Ramiz Merkon, për të gjithë ata që mendon se ka dyshime”,- u shpreh Ejup Alimi nga BDI.
Sipas deputetit, Ferid Muhiq, fakti që opozita po zhvendos debatin nga projektligji tek korrupsioni, lë të kuptohet se ata nuk kanë argument kundër këtij ligji.
“Fillimisht ju kisha sugjeruar për akuzat rreth tenderëve dhe korrupsionit të mos thirreni në to pasi nuk janë me relevancë për ligjin përkatës dhe nuk janë argument kundër dhe kështu, disi, pranoni se nuk keni argumente të tjera”,- theksoi Ferid Muhiq nga LSDM.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Surea Rashidi, ftoi opozitën maqedonase që të marrë për shembull Kosovën, ku Kuvendi ka miratuar ligjin që gjuha serbe të jetë zyrtare në nivel republike, thuaja pa debat.
“Ai kuvend ka miratuar gjithashtu ligj për përdorimin e gjuhëve, me të cilin ligj për 4% në Republikën e Kosovës parashihet gjuhë zyrtare serbe në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo është e njohur, por diçka tjetër nuk dini, se Parlamenti i Kosovës as 5 minuta debat nuk ka zhvilluar për gjuhën serbe zyrtare”,- tha Surija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.
Konform procedurës për shqyrtimin e projektligjeve që mbajnë simbolin e BE-së, debate mbi projektligjin për përdorim e gjuhëve, në lexim të parë, duhet të mbyllet deri në mesnatë. Faza e dytë e shqyrtimit të këtij ligji, sipas të gjitha gjasave, do të ndodh pas zgjedhjeve lokale. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
