Administrativja hedh poshtë padinë e AP-së, Sejfullahu: Vendimi i KShZ-së i huton votuesit

22.09.2017 19:09

Padia rreth emrit dhe emblemës së njëjtë në listat zgjedhore...

Padia rreth emrit dhe emblemës së njëjtë në listat zgjedhore e  partisë Aleanca për Shqiptarët kundër Koalicionit për zgjedhjet lokale -Aleanca për Shqiptarët - RDK – UNITETI, është hedhur poshtë si e pabazë nga Gjykata Administrative.

Nga partia Aleanca për Shqiptarët thonë se vendimi tregon se Maqedonia realisht ka ende shumë punë sa i përket gjykatave dhe akuzojnë koalicionin që mban të njëjtin emër por të përbërë tashmë vetëm nga UNITETI dhe RDK, se po e përçajnë votën shqiptare. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët ndërkohë e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të heqë dorë as nga emri, as nga ngjyrat e as nga logo e partisë.

“Ne mendojmë se Këshilli Qendror Zgjedhor duhet të jetë në shërbim të votuesve dhe jo në shërbim të dy subjekteve politike që vendosën të garojnë me një emër. Ne mendojmë se KShZ nuk duhej të pranojë edhe një subjekt tjetër politik që të garojnë me të njëjtin emër, pasi që ne garojmë si subjekt politik dhe jo si koalicion dhe kemi emrin Aleanca për shqiptarët. Na mbetet që të bëjmë një kampanjë që votuesit të mos ngelen të hutuar, besoj se do t’ia arrijmë këtë dhe besojmë se kjo do të jetë hera e fundit ku subjektet politike të shfrytëzojnë rastin të përfitojnë prej forcës sonë për të përfituar për vete”,- deklaroi Elmir Sejfullai nga Partia Aleanca për Shqiptarët.