Maqedoni

Nesër pritet vendimi gjyqësor për rastin “Monstra”

17.06.2014 19:21

Nesër, Gjykata Penale në Shkup pritet të shpallë vendimin përfundimtarë për të akuzuarit në rastin “Monstra”...

Nesër, Gjykata Penale në Shkup pritet të shpallë vendimin përfundimtarë për të akuzuarit në rastin “Monstra”.
 
Prononcimi i ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, menjëherë pas arrestimit të të dyshuarve me 1 maj të vitit 2012, ku u predikua faji i këtyre të akuzuarve, ka pasur ndikim në tërë procesin gjyqësor dhe mund të kenë edhe në vendimin përfundimtarë, thotë avokati mbrojtës, Nase Raufi.
 
Ai më tej thekson se fjalët e fundit të prokurores, me të cilat kërkoi dënim maksimal, janë të pabaza dhe arsyetojnë deklaratat me të cilat ata u shpallën fajtor që nga arrestimi i tyre. Të akuzuarit janë të pafajshëm dhe se këtë e dëshmon mungesa e provave dhe nëse nuk do të ketë ndikime te trupi gjykues, të akuzuar duhet të lirohen, thotë Raufi.                                                                                                     
“Në këtë rast, nuk ka me të vërtetë as një provë për asnjë të akuzuar që kanë bërë këtë krim, po të jetë trupi gjykues fer, unë pres që këta të akuzuar, sipas Ligjit, duhet të lirohen prej kësaj aktakuze, se praktikisht edhe me fjalën përfunduese të prokurores, doli që nuk u prezantuan as prova materiale e as verbale për këtë rast. Këto të akuzuar janë me 770 ditë në paraburgim dhe ky moment nuk duhet të ndikojë te aktvendimi i Gjyqit dhe të jetë arsyetim se janë fajtor. Do të presim shpalljen e aktvendimit dhe do të shohim si më tutje”, deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.    
                                             
Ditë më parë, ambasadori i OSBE-së në Shkup, Rallf Bred, përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, ka shprehur vërejtje për procesin gjyqësor “Monstra”, si dhe mundësinë e promovimit të situatës së tensioneve dhe protestave pas shpalljes së vendimit gjyqësor për këtë rast.
 
“Gjithmonë jemi përkushtuar për të qenë të qartë se misioni OSBE nuk ka qasje te dokumentet relevante, te dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur dhe rezultatet nga masat e posaçme hetimore. Misioni ynë nuk është në pozitë që publikisht të vlerësojë dëshmitë e prezantuara dhe në këtë rast, do të vepronte në kundërshtim me mandatin që ka. Është e qartë se pavarësisht rrjedhës së procesit gjyqësor, megjithatë do të ketë drejtpërdrejtë palë të prekura apo dhe pjesë të opinionit më të gjerë, që nuk do të pajtohen me këtë dhe se do të jenë të mundshme protesta apo raste të agresivitetit ndaj personave të caktuar. Kualifikimi i zgjedhur politik i veprës si vepër me motive fetare, do të nxisë konflikte të mundshme. Misioni i OSBE-së vlerëson se tani është momenti që dy partnerët e koalicionit qeveritarë, bashkërisht të bëjnë përpjekje që ky moment tragjik të mos bëhet burim i tensioneve të reja dhe pësimit të mëtejshëm të qytetarëve”, thuhet në letrën e OSBE-së.
 
FLORIJE KAMBERI