Botë

Londër, 8 të lënduar në një sulm me acid

24.09.2017 13:20

Të paktën 8 persona u lënduan në një sulm me acid pranë një qendre tregtare në lindje të Londrës...

Policia e Londrës ka njoftuar se tetë qytetarë janë lënduar nga një sulm që ka ndodhur me “një lëndë të dëmshme”. Sulmi ka ndodhur në stacionin e metrosë në Stratfort, që gjendet në lindje të Londrës. Pas raportimit të sulmit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shumë autoambulanca për të ofruar ndihmën e parë.
 
Policia njoftoi se sulmi ka ndodhur rreth orës 20:00 sipas kohës lokale, ndërsa kishin marrë njoftime se një grup i meshkujve spërkatnin qytetarët me substancë të dyshuar, e cila besohet të jetë acid. Policia ka rrethuar vendin, ndërsa ka njoftuar se nuk bëhet fjalë për sulm terrorist. Deri më tani një person është arrestuar, nën dyshimin e shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore.