Maqedoni

KH reagon për rastin “Monstra”

17.06.2014 19:17

Fjalët përfundimtare të prokurores publike në rastin “Monstra”...

Fjalët përfundimtare të prokurores publike në rastin “Monstra”, dolën nga korniza ligjore për konceptin e fjalëve përfundimtare në procedurën penale, vlerëson Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, në raportin e fundit që ka të bëj me muajin prill dhe maj të këtij viti.  
 
“Sipas fjalëve të fundit të prokurores, është e qartë tendenca e popullarizimit të këtij rasti në drejtim etnik dhe religjioz, të cilin Prokuroria e kualifikon si vepër penale “terrorizëm”.  Gjegjësisht, në fjalët përfundimtare prokurorja për kryerjen e kësaj vepre penale ka thënë “Porosia është: gjuajmë në të “Enjten e madhe”, që të jenë “Pashkët” të përgjakshme. Vrasim fëmijë meshkuj, që t’ua shkatërrojmë fenë dhe ardhmërinë”. Mënyra e këtillë e të shprehurit mund të vlerësohet si joadekuate në pajtueshmëri me dispozitat e Ligjit për Procedurë Penale, sipas të cilit, Prokuroria duhet të japë vlerësimin e fakteve, pastaj do të japë vendime për faktet e rëndësishme të vendimin dhe të shpjegon propozimin për përgjegjësi penale të të akuzuarit, për dispozitat e Kodit Penal që duhet të zbatohen, si dhe për rrethanat për lehtësim që duhet të merren parasysh gjatë dhënies së dënimit”, shkruhet në raportin e KH-së.
 
Theksimi i motiveve për kryerjen e veprës penale, nëpërmjet konceptimit të fjalive si t’i kenë thënë vetë të akuzuarit, të cilat lehtë mund të shkaktojnë frikë dhe pasiguri te popullata, “lehtë mund të jenë edhe motiv për shkaktim të tensioneve ndëretnike mes dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend”, thuhet në raportin e Komitetit.
 
“Nga titujt për raportim të disa medieve, mund të vërehet se fjalët përfundimtare janë transmetuar sikur t’i kenë thënë të akuzuarit fjalët e prokurores, që edhe më shumë kontribuon në krijimin e një atmosfere të tensionuar, që më tej mund të rezultojë në incident ndëretnik”, njofton Komiteti i Helsinkit.
 
REJHANE BUSHI-METAJ