Gjermani, Merkeli në kërkim të aleateve
Angela Merkel, fitimtare por e dobësuar nga një rezultat elektoral zhgënjyes, ka nisur menjëherë punën me misionin e vështirë të formimit të një shumicë të re...

CDU përjetoi një rezultat zhgënjyes në zgjedhje, ku fitoi vetëm 33.2 për qind të votave, rezultati më i keq i shënuar që nga viti 1949. Edhe socialdemokratët morën vetëm 20% të votave, rezultat ky më i ulëti që pas luftës dhe që i çon ata në opozitë.
Alternativa për Gjermaninë, formacioni i ekstremit të djathtë, nacionalist dhe anti-islam, ka tronditur skenën politike duke dalë i treti dhe duke hyrë për të parën herë në parlament me 13.5 për qind të votave. Vëmendja tani spostohet tek koalicioni që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.
Varianti më serioz mbetet ai i formimit për të parën herë në historinë e Gjermanisë i një koalicioni prej tre partish: CDU/CSU, Liberalet dhe Të Gjelbrit. Bisedimet pritet të jenë të vështira e të zgjasin shumë.
GYLTENE SINANI
