Zgjedhjet lokale 2017, Ahmeti: BDI, ekipi fitues që garanton zhvillim
Bashkimi Demokratik për Integrim prezentoi kandidatët për kryetar të komunave dhe këshillave komunalë.....

Bashkimi Demokratik për Integrim prezantoi në konventën partiake kandidatët për kryetarë të komunave dhe këshillave komunalë. Kryetari i BDI-së u shpreh se ekipi i BDI-së është ekipi fitues i zgjedhjeve të 15 tetorit, ekip që garanton përparim dhe zhvillim të mëtejshëm të komunave shqiptare të Maqedonisë.
Sipas kreut të integristëve, fitorja e BDI-së në zgjedhjet lokale nuk është fitore vetëm e BDI-së, por e të gjithë shqiptarëve pavarësisht se cilës komunë i takojnë.
Deri më tani kuadrot e BDI-së që kanë menaxhuar me komuna janë përballur me vështirësi të shumta dhe u kanë dalë ballë shumë sfidave, por Ahmeti apeloi që “mos të mbeteni me atë krenari, por të punoni edhe më shumë, sepse na presin shumë punë, pasi vetëm me punë, me komuna të zhvilluara vendit i hapen dyert për integrime europiane”. Qytetarët e komunave shqiptare ende kanë nevojë për projekte infrastrukturore, si ujë, kanalizime për ujërat fekale apo riciklim të mbeturinave. “Tani ju pret një sfidë e madhe, duhet të organizohemi dhe të mobilizohemi që të realizojmë të gjitha projektet që kanë nevojë banorët e komunave shqiptare”,- tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Jorastësisht ishim fitimtarë në të gjitha betejat. Ne thirremi për standard europian, ne thirremi që duam të integrohemi në BE. Nuk mund të integrohemi vetëm me standarde politike dhe avancim në fushat të ndryshme të demokracisë. Pa komuna të përparuara, gjithashtu njëri nga standardet më kryesore është komuna të forta, mirë të organizuara, mirë të drejtuara nga njerëz të devotshëm, nga dalzotës të vërtetë, nga njerëz që e duan hapësirën, qytetin, vendlindjen ku ata dhe ne jetojmë”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje garon me 18 kandidatë për kryetarë komune, si dhe me 35 lista këshilltarësh, nga të cilat tre lista janë të përbashkëta me partitë tjera shqiptare në komunat Ohër, Manastir dhe në Gazi Babë, informoi shefi i shtabit zgjedhor, Fatmir Besimi. Ai tha se në këto zgjedhje BDI hyn me plane dhe projekte konkrete për çdo vendbanim, për çdo komunë, duke i ditur nevojat dhe problemet e secilës veç e veç. “Oferta jonë është reale, por edhe ambicioze, me program që është kontratë me qytetarët për katër vitet e ardhshme”,- theksoi shefi i shtabit zgjedhor, Fatmir Besimi.
“Në këto zgjedhje garojmë me 729 kandidatë, plotësisht të përgatitur profesionalisht, moralisht dhe kombëtarisht. Duke siguruar fitoren e pakontestueshme dhe marrjen e përgjegjësive për të çuar përpara proceset e filluara dhe për t’u dalë zot sfidave të reja. Përgjegjshmëria dhe llogaridhënia do të jenë atributet kryesore të këtij ekipi të fitores. Gjithë ky mobilizim i madh i BDI-së në aleancë të pashkëputshme me qytetarët është garancia më e madhe e fitores së radhës në këto zgjedhje shumë të rëndësishme. Ne deri më tani në të gjitha ciklet zgjedhore kemi dëshmuar se vetëm duke u bërë bashkë mund të fitojmë, vetëm bashkë mund të bëjmë punë të mira për të gjithë qytetarët”,- tha shefi i shtabit zgjedhor – BDI, Fatmir Besimi.
Nga BDI thanë se si parti, e cila një nga prioritetet kryesore e ka integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, edhe kësaj radhe do të zhvillojë fushatë të qetë dhe korrekte, konform të gjitha standardeve ndërkombëtare. (Ersan Pajaziti, TVM2)
