Maqedoni
Spasovski: Nëpunësit policorë në shërbim të qytetarëve
25.09.2017 14:26
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka njoftuar se të gjithë nëpunësit policorë si në periudhën e fushatës...

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka njoftuar se të gjithë nëpunësit policorë si në periudhën e fushatës por dhe në ditën e votimit do të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të partive politike. Ai këtë e tha pasi vizitoi punëtorinë në stacionin policor të Gazi Babës.
“Ka përfunduar koha kur hapësirat e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë shfrytëzuar për shtabe partiake apo veturat e ministrisë kur përdoreshin për partinë. Rreptësisht do të sanksionohen të gjitha keqpërdorimet eventuale të resurseve shtetërore për interesa partiake”,- deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovki.
Ministri Spasovski u bëri thirrje liderëve politikë që të jenë në funksion të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike. Ai gjithashtu njoftoi se është formuar shtab i veçantë për zgjedhje dhe zgjedhjet do të jenë të organizuara në nivel të duhur.
Jemi të gatshëm të mbrojmë procesin zgjedhor, por ka kërkuar bashkëpunim edhe nga qytetarët dhe partitë politike. Punëtoria për rolin e punonjësve policorë gjatë zgjedhjeve realizohet në bashkëpunim me OSBE-në, tha ministri Spasovski.
LUMTURIJE HAJRO
