Zgjedhjet 2017, Kasami: Pushteti lokal meriton shërbëtorë të popullit
Lëvizja BESA ka prezantuar mbrëmë kandidatët për kryetarë komunash....

Lëvizja BESA ka prezantuar mbrëmë kandidatët për kryetarë komunash si dhe bartësit e listave për këshilltarë në zgjedhjet e 15 tetorit.
Lideri dhe njëherit edhe kandidati për kryetar i Tetovës nga Lëvizja BESA, Bilall Kasami, tha se ka përfunduar koha e politikanëve që futen në pushtet të varfër e dalin të pasur. Sipas tij, tashmë ka ardhur koha e politikanëve të përgjegjshëm që realisht janë në shërbim të popullit që i ka zgjedhur.
“Zoti do ta ndryshojë gjendjen tonë, sepse ne sot treguam se kemi ndryshuar veten tonë. Po ashtu Zoti i sprovon njerëzit që i do, sot Zoti na sprovoi me këtë shi dhe ne treguam se jemi të gatshëm t’u rrimë karshi sprovave, sprovave të Zotit dhe sprovave me të cilat na sprovojnë këta politikanë të papërgjegjshëm. Pas 15 tetorit, ata do të shkojnë në shtëpitë tyre të turpëruar kurse në pushtetin lokal do të keni shërbëtorët tuaj që do të jenë në shërbimin tuaj 24/7. Pas 15 tetorit nuk do të ketë më politikanë të cilët futen në politikë të varfër dhe dalin pasanikë. Nuk do të ketë politikanë të cilët do të varfërojnë popullin për katër vite e më shumë sa do të qeverisin institucionet. Me Lëvizjen BESA ju do të keni të pushtetarët të cilët do të angazhohen që populli të jetë i pasur dhe ata të jenë në shërbimin tuaj, pa pasur asnjë interes material për ta dhe familjet e tyre”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Në konventë mbajtën fjalime edhe kandidatët për kryetarë të Lëvizjes BESA në komuna të ndryshme.
Kasami ndërkohë ka shpalosur edhe projektin e Lëvizjes BESA për sheshin e Tetovës ku edhe u mbajt konventa promovuese e partisë. Sipas tij, të gjithë projektet që ofron kjo lëvizje do të jenë për një Tetovë me dinjitet, me ajër të pastër, rrugë të hapura dhe të pastra, për një Tetovë e cila e meriton epitetin Tetova universitare, e qytetëruar, për një jetë urbane dhe të shëndoshë. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
