Zgjedhjet lokale 2017, filloi fushata dhe premtimet zgjedhore
Ka filluar edhe zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 15 tetorit...

Maqedonia ka hyrë në ethet zgjedhore dhe për 19 ditët e ardhshme do të dëgjojë premtime për rrugë të asfaltuara, ajër të pastër, kanalizime e shkolla të reja.
Më 15 tetor, 1.7 milion votues do të tregojnë në kutitë e votimit se sa u besojnë premtimeve zgjedhore që do të dëgjojnë gjatë këtyre tre javëve. Premtime do të japin 19 parti dhe koalicione me 64 lista të dorëzuara në KShZ, që luftojnë për karriget e para të 80 komunave dhe Qytetit të Shkupit. Por, gara zgjedhore ka filluar shumë më herët sesa fillimi zyrtar i fushatës.
Pothuajse të gjitha partitë mbajtën konventat promovuese, takimet me qytetarët kanë filluar ditë më herët, e qytetarët shpresojnë që të zgjidhen problemet e tyre të përditshme. Kandidatët u zotuan ndërkohë për të respektuar kodeksin për zgjedhje korrekte e demokratike, e që të mos u bëjnë presion sidomos të punësuarve në administratë.
Zgjedhjet e 15 tetorit janë zgjedhjet e gjashta me radhë që nga pavarësimi i vendit. Për zgjedhjet lokale do të votohet në 3.480 vendvotime. Mbi 300 vëzhgues të misionit të OSBE-ODIHR-it dhe nga disa organizata të tjera janë paraqitur për të ndjekur këto zgjedhje, por KShZ përkujton të gjitha organizatat joqeveritare të cilat duan të marrin pjesë në monitorimin e procesit zgjedhor, të dërgojnë kërkesë deri në KShZ përmes formës elektronike apo përmes zyrave të KShZ-së për të marrë akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve.
HAMIDE IBRAHIMI-EMINI
