Bekteshi: Besojmë në mbështetjen e BE-së; Zhbogar: Duhen institucione efektive për sukses

25.09.2017 16:24

Konferenca e parë Ndërkombëtare për Falimentim dhe Likuidim synon forcimin e kapaciteteve...

Konferenca e parë Ndërkombëtare për Falimentim dhe Likuidim synon forcimin e kapaciteteve administrative dhe implementimin e kornizës ligjore për falimentimin dhe likuidimin e kompanive.

Ministria e Ekonomisë prezantoi masat që duhen ndërmarrë në këtë drejtim. Euroambasadori Zhbogar theksoi se në Bashkimin Europian çdo ditë falimentojnë nga 600 kompani.

Bizneset  në përgjithësi shumë rëndë i mbijetojnë 5 vite në treg dhe se kjo në mënyrë direkte paraqet pasoja në ekonomi dhe shoqëri. Raporti i progresit për Maqedoninë viteve të fundit ka treguar përmirësim sa i përket themelimit të kompanive, por çështja e daljes së kompanive nga tregu është kompleks. BE do të ndihmojë Ministrinë e Ekonomisë  me 1.3 milion euro për përmirësim të kuadrit ligjor rreth braktisjes së tregut.

“Ne besojmë në mbështetjen e Bashkimit Europian për modernizimin e kornizës ligjore të falimentimit me një qasje të re për ristrukturimin e kompanive e jo likuidimin e tyre dhe sipas direktivave të Bashkimit Europian sa i përket kornizës ligjore për parandalimin e ristrukturimit vendet anëtare të saj tashmë po sjellin edhe vendime të reja ligjore. Maqedonia nuk duhet të mbetet prapa”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Hyrja dhe dalja e tregut janë në qendër të jetës ekonomike dhe janë thelbësore për funksionimin e duhur të tregjeve. Mungesa  e procedurave për hyrje dhe dalje nga tregu janë komplekse, por nëse edhe institucionet janë joefektive, atëherë edhe rregullatorët më të mirë nuk do të ndihmojnë”,- u shpreh euroambasadori, Samuel Zhbogar. (Gazmend Rexhepi, TVM2)