Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, VMRO – DPMNE filloi fushatën zgjedhore
25.09.2017 17:28
Kandidati për kryetar komune për qytetin e Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Koce Trajanovski...

Kandidati për kryetar komune për qytetin e Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Koce Trajanovski, fushatën për zgjedhjet lokale e filloi nga Novo Lisice me paralajmërimin për ndërtimin e parqeve të reja dhe hapësirave të gjelbra në më shumë lokacione në Shkup. Trajanovski nga parku i ri në Novo Lisice tha se ky është parku më i madh në Shkup me një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë, duke shtuar se në Komunën e Aerodromit do të ndërtohet edhe një tjetër për të parandaluar ndotjen.
"Tema kryesore dhe angazhimi im në periudhën e ardhshme do të jetë shëndeti i qytetarëve, d.m.th. qytetarët dhe shëndeti i tyre në periudhën e ardhshme katërvjeçare. Për këtë qëllim ne do të punojmë në projekte që do të nënkuptojnë mbrojtjen e mjedisit dhe ambientit dhe kështu konsiderojmë atë si një nga masat për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Shkupit. Në programin tonë të zgjedhjeve ne u kushtojmë vëmendje të veçantë masave kundër ndotjes. Këtu, në Komunën e Aerodromit, do të ndërtojmë edhe një park të madh prej 100 metrash katrorë, do të vendosim ulëse dhe do të mbjellim pemë të reja. Një park i ri është planifikuar tek Aleksandar Pallasi, rreth lumit Vardar, pastaj rikonstruim i plotë i parkut të qytetit duke pastruar liqenet dhe duke instaluar pajisje të reja urbane. Në katër vitet e ardhshme ne do të mbjellim pemë në disa vende në një sipërfaqe prej 500 metra katrorë”,- deklaroi kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar në Qytetin e Shkupit, Koce Trajanovski.
Ai rikujtoi se gjatë tetë viteve të fundit ka punuar për ngritjen e një numri të madh të sipërfaqeve të gjelbra dhe mbjelljen e pemëve si një ndër masat për mbrojtjen e mjedisit dhe ajrin e ambientit në qytetin e Shkupit. “Ajo që kemi bërë në katër vitet e fundit janë projekte të mëdha. Një nga këto projekte është ky park, parku në Komunën Aerodromit, në një sipërfaqe prej 100 mijë metra katrorë”,- tha Trajanovski.
“VMRO-DPMNE, si një parti politike përgjegjëse, gjithmonë interesat e qytetarëve i vë në rend të parë. Gjithmonë punë, gjithmonë Kumanovë, gjithmonë Maqedoni është ajo pas së cilës VMRO-DPMNE është e njohur”,- tha Zoran Gjorgjievski, kandidat për kryetar të Komunës së Kumanovës nga VMRO-DPMNE. Ai theksoi se në programin e tij është planifikuar ndërtimi i një infrastrukture komunale në tërë territorin e Kumanovës për një periudhë prej katër vjetësh, e cila do të mbulojë të gjithë infrastrukturën dhe rrugët e parealizuara në Komunën e Kumanovës, duke shtuar se përfshin asfaltimin e rrugëve dhe trotuareve, furnizimin me ujë, kanalizimin dhe ndriçimin. Sipas Gjorgjievskit, në këtë mënyrë Kumanova, nga qyteti më i ndotur dhe jourban, do të bëhet një mjedis modern dhe urban për jetesë të denjë të qytetarëve të Kumanovës.
“Hapja e zonës TIRZ në afërsi të korridorit 10 në Kumanovë. Një nga zgjidhjet kryesore për zhvillimin ekonomik lokal në Komunën e Kumanovës është pikërisht hapja e një zone të tillë, me të cilën problemi kryesor i Kumanovës, që është papunësia akute me 19.600 të papunë, do të jetë një nga zgjidhjet kryesore për përparimin e suksesshëm në qytet dhe një reduktim domethënës i papunësisë. Përfundimisht do të zgjidhen problemet ekzistuese të furnizimit me ujë në Komunën e Kumanovës. Një problem multi-faktorial me mungesën kronike të ujit gjatë gjithë vitit në zonat më të larta të qytetit, për të ofruar zgjidhje përfundimtare për periudhën e ardhshme prej 20 vjetësh. Kërkimi i zgjidhjeve alternative për rritjen e furnizimit me ujë deri në fabrikën e ujit në Kumanovë. Me këtë në Kumanovë nevoja themelore për jetesë normale do të zgjidhet me sukses për të gjitha pjesët e qytetit dhe me zgjerimin e mëtejshëm të qytetit”,- theksoi kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Kumanovës, Zoran Gjorgjievski.
Kandidati për kryetar të Komunës së Kumanovës Zoran Gjorgjievski, po ashtu paralajmëroi edhe ndërtimin e një parku rekreativ “Uji i ftohtë”, ndërtimin e tre sallave sportive shkollore, ndërtimin e çerdheve, ndërtimin e 50 mini-parqeve për fëmijë, qendër të re të shkollës së mesme me zhvendosje të asaj ekzistuese, stacioni i ri i autobusëve ndërqytetor, ndërtimi i terreneve sportive në fshatin Pçinja, fshatin Rezanovcë, fshatin Biljanovce, lagjen Karposh dhe Agino, ndërtimin e një tregu të ri në vendbanimin Goce Dellçev, formimin e një zyre për ndihmën e investitorëve dhe rikonstruimin e fasadave të objekteve në zonën qendrore të qytetit.
Ndërkohë, kandidati për kryetar komune në Prilep nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Marjan Risteski, në konferencën e mbajtur në qendër të qytetit tha se për 12 vite shumëçka është bërë për Prilepin dhe premtoi se do të vazhdojnë përpjekjet që Prilepi të jetë qytet bashkëkohor dhe i bukur për jetesë. Sipas tij, prioritet do të jetë zmadhimi i mundësive për punësim, tërheqja e investitorëve të huaj dhe projektet e reja për jetën e përditshme. “Si pushtet lokal prioritet do të jenë investimet në zonat industriale, tërheqja e investitorëve, zvogëlimi i papunësisë në qytet dhe infrastruktura në qytet”,- tha Marjan Risteski. “Ekipi prej 27 kandidatëve për këshilltarë nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit është ekipi i duhur për realizimin e vizionit që Prilepi të jetë komunë e suksesshme”,- tha Risteski.
SANIJE DURAKU
