Maqedoni

“Zgjedhje të lira për shoqëri të lirë”, ambasadorët dhe ekspertët porosi partive

25.09.2017 17:59

“Gara në zgjedhjet lokale të 15 tetorit duhet të zhvillohet në pajtueshmëri me Kodin zgjedhore, të kemi zgjedhje të lira, të ndershme, korrekte dhe demokratike”...

Kështu vlerësuan pjesëmarrësit në Konferencën e organizuar nga “Civil” me temë “Zgjedhje të lira, për shoqëri të lirë”. Ambasadori gjerman në vend, Tomas Gerbrih, vlerëson se duhet të luftohet korrupsioni dhe për çdo parregullsi të evidentuar duhet të praktikohen sanksionet. Ai tha se këto zgjedhje janë test vlerësimi për qeverinë e re. 
 
“Zgjedhjet lokale paraqesin një parakusht për të marrë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve. Duhet të behën ndryshime aty ku ka parregullsi, veçanërisht në zgjedhjet e kaluara”,- deklaroi ambasadori i Gjermanisë në Maqedoni, Tomas Gerberih.
 
Sipas profesoreshës universitare, Mirjana Najçevskas, një pjesë e popullatës nuk e bëjnë dallimin mes zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Sipas saj, qytetarët kanë frikë të dalin në votim.
 
“Njerëzit në Maqedoni frikësohen kur dalin për votim, frikësohen se mos shihen nga dikush, frikësohen se dikush e din për kë voton, frikësohen nga pasojat që mund t’u shkaktohen nga votimi i vet”,- u shpreh profesoresha universitare, Mirjana Naçevska.
 
Mediat ndërkohë po i përmbahen rregullores dhe po e respektojnë informimin në mënyrë të balancuar për të gjithë pjesëmarrësit e procesit zgjedhor. Drejtori i Agjencisë për Shërbime Mediale Audio dhe Audio-vizuele, Zoran Trajçevski, tha se përjashtim në monitorimin e fundit kanë bërë vetëm dy televizioneve nacionale. 
 
“Deri sot në agjenci  kanë nxjerrë 10 raporte dhe deri tani shihet se gati të gjitha mediumet janë duke raportuar në mënyrë të drejtë. Mediat raportojnë kryesisht për të gjitha partitë politike”,- theksoi drejtori i AVMU-së, Zoran Trajçevski.
 
“Civil” e vëzhgon procesin zgjedhor nga fillimi i vitit. Monitorimi zbatohet përmes vëzhguesve afatgjatë, si dhe përmes rrjetit bashkëpunues nga aktivistë, korrespondentë dhe gazetarë qytetarë. Për monitorimin e votimit, “Civil” do të akreditojë të paktën 106 monitorues.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI