Maqedoni

“Fortesa 2”, Grujevski e Boshkovski dy muaj në arrati

25.09.2017 18:26

Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski kanë hyrë në muajin e dytë të arratisë dhe MPB ende vazhdon t’i kërkojë...

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, tha se policia ka informacione rreth të arratisurve, por nuk mund t’i bëjë publikë për shkak të fshehtësisë së hetimeve. “Ne kemi njohuri, çdo ditë marrim të dhëna të ndryshme, i kontrollojmë, por nuk janë të dhëna që mund t’i ndajmë me publikun”,-deklaroi Spasovski.

Rasti “Fortesa 2”, ku i dyshuari i parë është pikërisht ish-shefi i Drejtorisë së Pestë në MPB, Goran Grujevski, rikthehet në gjykim të martën. Grujevski dhe 6 kolegë të tij akuzohen për djegien e dokumenteve që kanë të bëjnë me përgjimet e paligjshme. 

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, pret që deri në fund të vitit të ketë zgjidhje ligjore në pjesën e ndjekjes së komunikimeve dhe atëherë do të përcaktohet qartë nëse DSK-ja do të jetë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë apo të Ministrisë së Brendshme si deri më tani. Puna e DSK-së ishte pjesë e raportit të Pribesë.