Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, LSDM fillon fushatën në Shkup

25.09.2017 18:32

Kandidatët e LSDM-së për Qytetin e Shkupit dhe Karposhit, filluan fushatën e tyre mbi biçikleta, për të treguar kështu simbolikisht se ajri i pastër dhe trafiku do të jenë pikat kryesore në fushatën e tyre...

Premtuan qasje të re në komunikimin me qytetarët, duke vënë nevojat e tyre në rend të parë. Kandidati për kryetar për Qytetin e Shkupit, Petre Shilegov, potencoi se shkupjanëve duhet t’u kthehet besimi tek institucionet dhe se kryeqendra  meriton me tepër se kaq. Shkupi si dhe komunat përreth jo vetëm që munden por e kanë obligim që të menaxhohen më ndryshe, jo siç ka ndodhur kokë më vete, si deri tani. Në vendimmarrjet komunale do të përfshihen të gjitha grupet e interesit si dhe shoqatat për të dhënë mendimin e tyre se si duhet të duket Qyteti i Shkupit.
 
Sipas Shilegovit, prioritet i tij për këtë mandat do të jetë rikthimi i parqeve me fidane të reja si dhe hapësira më të mëdha të gjelbërimit, ngase për ajër të pastër dhe ekologji të mirëfilltë duhet rikthyer sërish gjelbërimi i cili është zhdukur viteve të kaluara, theksoi mes tjerash kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.    
 
“Do të ndërtojmë infrastrukturë së bashku me ju dhe trafik më të mirë, me çka trafik nuk nënkupton vetëm rrugë por nënkupton motoçikletë, këmbësorë, biçikleta dhe transport publik. Do ta bëjmë qytetin  transparent, t’u  mundësojmë qytetarëve të komunikojnë me ne, do t’i krijojmë biznes politikave tona, me çka qytetarëve do t’u kthehen paratë, ta kthejmë jetën për të gjithë. Shkupi meriton të jetë qytet modern, europian dhe i lirë ashtu siç ka qenë. Problemi i ndotjes në Shkup është alarmant dhe na brengos çdo dimër e verë. Për fat të keq ajo që ndodh momentalisht është se askush nuk ka punuar në mënyrë sistematike për zgjidhjen e problemit të ndotjes. Do të marrin masa urgjente që nga ndalesa e punëve ndërtimore, transporti publik pa pagesë, masa që do të jenë akute ditëve që do të ketë ndotje, por zgjidhja strategjike do të fillojë nga vitit tjetër. Nga viti 2018 fillon faza e dytë e ndërtimit të rrjetit të gazit, me çka fillimisht do të përfshihen pjesë të qytetit ku mungon sistemi për ngrohje qendrore me qëllim që deri në fund të mandatit për çdo qytetar që dëshiron qasje në gazsjellës, tua mundësojmë të njëjtën. Gjithashtu dhe gjelbërimi do të jetë në nivel dhe e dimë që vitet që kaluan gjelbërimi është zhdukur dhe është shkak për ndotje shtesë”,- theksoi kandidati i LSDM-së për Qytetin e Shkupit, Petre Shilegov.
 
Edhe kandidatët e tjerë të Lidhjes Socialdemokrate kanë filluar fushatën e tyre për mandatin e ardhshëm për kryetarë të komunës në zgjedhjet lokale 2017. Kandidati i kësaj partie për Komunën Qendër, Sasho Bogdanoviq,  premtoi revizion për planin urbanistik. Prioritet do ta ketë çështjen e parkingut.
 
“Do të punojmë me plan me atë do t’i japim fund mafias urbane në Komunën Qendër. Në programin tonë do të përfshihen të gjitha kategoritë në Komunën Qendër”,- theksoi kandidati i LSDM-së për Komunën Qendër, Sasho Bogdanoviq.
 
Programin e tij për këto zgjedhje lokale e promovoi edhe kandidati nga radhët e LSDM-së, Zllatko Marin, në Komunën e Aerodromit. Problemi me ajrin e ndotur do të jetë prioritet i këtij kandidati. Sipas Marinit, komuna do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarit, përfshi këtu edhe mjetet nga buxheti, të cilat do të rikthehen me projekte të realizuara gjithmonë në shërbim të qytetarëve.  
  
“Do të fokusohemi fuqishëm ta pastrojmë ajrin dhe ta përmirësojmë kualitetin e jetës. Komuna do të jetë shërbim i vërtetë i qytetarëve të saj, ndërkaq paratë e buxhetit do t’i ridrejtojmë sërish për projektet e qytetarët”,- tha kandidati i LSDM-së për kryetar të Komunës së Aerodromit, Zllatko Marin.
 
Edhe kandidati i LSDM-së për Komunën e Kisella Vodës premtoi  planifikim urbanistik, gjetjen e hapësirës për parkingje dhe parqe të reja. 
 
Kandidati i LSDM-së për Karposhin do të fokusohet në ndërtimin e parqeve të reja ekologjike, zgjidhjen e problemit me parkimin në këtë komunë, ndërtimin e tre pishinave të reja. Premtoi ndërtimin e një parku të ri, objekte të reja për kopshte fëmijësh  si dhe ndërtimin e një  shtëpie pleqsh. Ai tha se të gjitha parkingjet do të jenë të ndërtuara me një frymë të re, eko-parkingje të cilat do ta zgjidhin përfundimisht problemin me parkimin e makinave në çdo cep të komunës.
 
Mbindërtimi i objekteve paraprake si dhe ndërtimi i objekteve të reja, ambulancë e re në lagjen Deksil, rekonstruim të shkollave fillore si dhe formimin e një ndërmarrje komunale në nivel komunal janë disa nga prioritetet të kandidatit për kryetar të komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksandar Naumovskit. Kandidati i LSDM-së, Aleksandar Naumovski, planifikon gjithashtu përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ujësjellësit dhe rrjetit të kanalizimit. Sipas tij, pasi që ta fitojë komunën do të fillojë t’i realizojë të gjitha projektet e premtuara, përfshi këtu edhe rrjetin e gazifikimit. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU