Futboll

Fitore e mundimshme e Belgjikës

18.06.2014 18:42

Belgjika e ka nisur me fitore Kampionatin Botëror Brazili 2014 pasi me mjaft mund arriti ta mposhtë Algjerinë me rezultat 2-1...

Belgjika e ka nisur me fitore Kampionatin Botëror Brazili 2014 pasi me mjaft mund arriti ta mposhtë Algjerinë me rezultat 2-1.
 
Skuadra afrikane e nisi mirë duke dominuar 10 minutat e para, por më pas kontrollin e mori Belgjika.
 
Befasia erdhi kah minuta e 24 kur Feghouli fitoi penalti dhe vetë e ekzekutoi duke u treguar shumë i saktë për 0-1.
 
Kjo shqetësoi padyshim Dijajt e Kuq nga Europa, por për ata nuk u lejua asnjë hapësirë. Gjatë 45 minutave të para u tentua vetëm me goditje jashtë zonës siq ishin ato dy nga Witsel të cilat u pritën nga portieri Rais që ishte briliant.
 
Pjesa e dytë ishte krejtësisht ndryshe, pasi me inkuadrimin e Mertens e më vonë edhe të Fellaini skuadra e Marc Wilmots ishte më konkrete. Mbrojtëja e çelikt e algjerianëve u thye kah minuta e 70 kur pas harkimit të De Bruyne realizoi me kokë Fellaini për 1-1.
 
Ky gol vetëm sa i nxeu lojtarët e Belgjikës që vetëm pas 10 minutave realizuan edhe golin e dytë për të cilin u përkujtes Dries Mertens pas asistimit fantastik nga Hazard për 2-1 që doli të jetë edhe rezultati final.