Zgjedhjet lokale 2017, Thaçi: Fitorja në Studeniçan, mesazh për të gjithë
PDSh hapi fushatën zyrtare zgjedhore me tubimin e mbajtur mbrëmë në Studeniçan të Shkupit....

PDSh hapi fushatën zyrtare zgjedhore me tubimin e mbajtur mbrëmë në Studeniçan të Shkupit.
Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, para të pranishmëve tha se shqiptarët duhet t’i pyesin partitë shqiptare që janë pjesë e qeverisë, se çfarë qëllimi kanë dhe ku duan të mbërrijnë.
Thaçi nga Studeniçani tha se fitorja e PDSh-së në Studeniçan kundrejt BDI-së, si në vitin 2002 ashtu edhe në vitin 2013, është një mesazh i fuqishëm për bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për maqedonasit, sepse, sipas tij, me këtë fitore iu tregua të gjithëve se ideja kombëtare shqiptare në Maqedoni nuk mund të shkelet për asnjë qëllim. Sipas tij, Maqedonia të vetmin shans për mbijetesë e ka nëse pranon se shqiptarët janë qytetarë të barabartë me të tjerët që jetojnë këtu.
“Vitin e kaluar kur PDSh-në si formacion të vetëm kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë e sulmuan nga të gjitha anët, disa me qëllime shkatërruese e disa me qëllime disiplinuese, prapë ju e keni mund BDI-në dhe ky është një mesazh i fuqishëm kombëtar për bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për vetë maqedonasit. Ideja kombëtare e shqiptarëve në RM nuk shkelet dhe nuk eliminohet. Ajo ide duhet të kultivohet dhe ky shtet të vetmin shans të mbijetesës e ka nëse pranon se është shtet edhe i shqiptarëve dhe shqiptarët të drejtat kushtetuese i kanë të njëjtat me maqedonasit”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Kandidati i PDSh-së për kryetar të komunës së Studeniçanit, Azam Sadiku, shpalosi projekte që ka realizuar në mandatin e kaluar në këtë komunë, si dhe vizionin e tij për Studeniçanin në 4 vitet e ardhshme.
“Do të përkujdesemi maksimalisht të mbesim faqebardhë e do ju bëjmë krenarë. Ju më njihni mua, i njihni edhe të tjerët, e ju lus të na përkrahni ne, sepse opsioni ynë është i vërtetuar e ofron punë, transparencë e përparim. E jemi në rrugë të drejtë dhe do të vazhdojmë të ecim vetëm drejt”,- tha kandidati i PDSh-së në Studeniçan, Azam Sadiku.
Me angazhim maksimal e punë të palodhshme, i realizuam në maksimum premtimet e dhëna, tha Sadiku, duke përmendur 5.5 km rrugë të asfaltuara në Studeniçan bashkë me shtegun e këmbësorëve, 6.4 km rrugë të asfaltuara në Batincë, 1.5 km në Moranë, 3.5 km në Cvetovë, 1.3 km në Koliçan të Poshtëm, renovimi i ujësjellësit në Batincë e Studeniçan, vazhdimi i ndërtimit të rrjetit sekondar të kanalizimit fekal në Batincë, Studeniçan, e Moranë, meremetim të shkollës në Batincë dhe fushë të sportit, ngrohje qendrore dhe fusha të sportit në Moranë e Koliçan, blerje të tokës ndërtimore për shkollën e mesme të Studeniçanit e formimin e klubit të mundjes në Studeniçan. Këto dhe shumë projekte të reja janë garanci se PDSh ecën drejt në rrugën e saj, tha Sadiku. (Besim Abdullai, TVM2)
