UT - drejtimet e disperzuara, studentët e Shkupit në protestë

26.09.2017 12:50

Studentët në drejtimet e disperzuara në Shkup të Universitetit të Tetovës....

Studentët në drejtimet e disperzuara në Shkup të Universitetit të Tetovës, protestojnë kundër vendimit të rektoratit të universitetit që të mbyllen këto drejtime dhe studentët t’i vazhdojnë studimet në Tetovë.

Studentët thonë se Ministria e Arsimit lejon vazhdimin e studimeve në Shkup, vendimi i rektoratit është që studentët të vazhdojnë studimet në Tetovë, përfshi edhe studentët e vitit të katërt. 

“Protestat do të vazhdojnë, nuk do të ndalen deri sa të kthehet përgjigje pozitive nga ana e rektoratit, shpresoj dhe besoj që do të ia arrijmë qëllimit, se ne jemi studentë ku kemi mbi 500 studentë që janë aktivë në këtë universitet dhe nëse nuk ka ndonjë vendim pozitiv, atëherë do të radikalizohemi”,- deklaroi student, Enes Eshtrefi.

“Ne në Tetovë nuk duam të shkojmë për shkak të kushteve të cilat nuk i kemi, ne kur e kemi bërë regjistrimin e kemi bërë këtu në Shkup, nuk e kemi bërë në Tetovë, ne nuk kemi kushte për të udhëtuar ose për të qëndruar në konvikt atje”,- u shpreh studentja, Fatime Sejfulla.

“Jam student i gazetarisë dhe ne jemi mbledhur këtu që të shprehim pakënaqësinë që e kemi dhe jemi mbledhur një numër i caktuar i studentëve, kjo është vetëm fillimi…. ne jemi regjistruar këtu dhe duam të mbetemi këtu, që t’i vazhdojmë studimet”,- theksoi studenti, Mevludin Imeri.

Problemin e tyre ata e kanë ngritur edhe para Ministrisë së Arsimit prej të cilës presin zgjidhje.(Semra Ajeti, TVM2)