Zgjedhjet lokale 2017, LSDM-ja tubim në Manastir
Me moton “Jetë për të gjithë në Maqedoni”, karavani zgjedhor i LSDM-së...

Me moton “Jetë për të gjithë në Maqedoni”, karavani zgjedhor i LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit nisi nga sheshi “Magnolija” në Manastir.
Kandidatja për kryetare komune në Manastir, Natasha Petrovska, tha se këto zgjedhje janë zgjedhje për një Manastir më ndryshe, për një Manastir me perspektivë. Sipas saj, në Manastir pritet fitore që në rrethin e parë, ndërsa kryetari i deritanishëm, Mitko Talevski, me 16 tetor do të përcillet me një kafe lamtumirësë.
“Mjaft më, ndryshimet medoemos të ndodhin, por ato asnjëherë nuk vijnë vet, ndryshime jemi vetë ne të nderuar qytetarë dhe ato do të ndodhin më 15 tetor. Manastiri nuk ka kohë për të pritur, këto zgjedhje janë për një Manastir më ndryshe, i cili do të ketë perspektivë. Do të bëjmë gazifikimin sipas shembullit të Strumicës, të rinjtë do të kenë më shume hapësirë për sporte të ndryshme përmes qendrës multi-funksionale sportive që planifikojmë të ndërtojmë. Do të rrisim kapacitetet në çerdhet dhe shtëpitë për personat e moshuar, ndërsa në të kaluarën do të mbeten plehrat e hedhura nëpër qytet”,- deklaroi kandidatja për kryetare komune në Manastir, Natasha Petrovska.
Në fjalimin e tij, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se në Shirok Sokak shihet vullneti i qytetarëve mendjelirë të cilët e krijojnë pamjen e re të një Maqedonie demokratike, si dhe kërkoi mbështetjen e qytetarëve për ndryshimin e qeverisë lokale.
“Maqedonia po ndryshon, Maqedonia po bëhet më e mirë, nuk ka kthim mbrapa, ndryshoi falë besimit tuaj të fuqishëm, se kjo tokë e jona e bukur mund të jetë vend i denjë për të jetuar. Besuat se mundet ndryshe, besuat në dorën e zgjatur, ky besim i juaji sot e lëviz Maqedoninë përpara. Betejën për jetë e vazhdojmë nga qyteti i konsujev dhe në çdo fshat dhe qytet në këtë Maqedoni të bukur. Kemi kthyer lirinë, po i kthejmë paratë e qytetarëve, po e kthejmë jetën tonë në Maqedoni, por ne nuk ndalemi këtu. Ne u përpoqëm për ndryshim dhe për shpresën që ne të mund të jetojmë në Maqedoni të begatë. Pas gjithë Golgotës, ndryshimet janë këtu dhe vazhdojnë. Qeveria e re e udhëhequr nga LSDM-ja është përgjegjëse dhe kujdeset për nevojat e qytetarëve. Kemi dëshmuar se po e ndjekim këtë politikë, një politikë që u shërben qytetarëve e nuk robëron me ta. Ne i realizuam masat e Qeverisë që kemi premtuar. Kemi shkurtuar më shumë se 45 milion euro në kosto joproduktive”,- tha Zoran Zaev nga LSDM.
Zaevi përmendi një pjesë të masave të zbatuara në katër muajt e parë, ndër të cilat tarifën e lirë të energjisë elektrike, rritjen e pagës minimale dhe heqjen e taksës radio-difuzive. “Ne po mbështesim kompanitë vendase me qëllim që të krijohen vende të reja pune. Ne sigurojmë transport të efektshëm publik dhe shkolla të pastra dhe të nxehta. Do të ketë ndihmë për të gjithë. Ne po u japim fund dekadave ku kryetarët e komunave plotësojnë kërkesat e shefave të partisë”,- tha Zaevi nga Manastiri. (Amir Duraku, TVM2)
