Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, BDI prezantoi kandidatët e saj në Tetovë
26.09.2017 15:39
BDI mbajti konventën promovuese të kandidates së saj për kryetare të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, dhe listës së kandidatëve për këshilltarë nga Bashkimi Demokratik për Integrim...

Me këtë rast kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se kjo parti solli ndryshime në këtë vend. BDI ndryshoi ardhmërinë e këtij vendi dhe ne jemi ata që ndërtojmë ardhmërinë, u shpreh Ahmeti. Sipas tij, BDI hyn në këto zgjedhje e përgatitur me një ofertë konkrete dhe ambicioze, me specifika për çdo komunë të veçantë, që do të shtjellohen nga kandidatët në komunikimet e drejtpërdrejta me qytetarët.
Lideri i integristëve, Ali Ahmeti, iu kërkoi tetovarëve dhe anëtarëve e simpatizuesve të kësaj partie që të sjellin fitoren e radhës për BDI-në si për kryetar të Tetovës ashtu edhe për këshilltar komunal.
“Përballjet nuk janë të lehta, por të lehta nuk kanë qenë as në të kaluarën përballjet me të cilat ne guximshëm kemi ditur të përballemi. Prandaj edhe në të ardhmen i sigurojmë të gjithë njerëzit se ne jemi ata që sollën ndryshimet, ne jemi ata që ndryshuam historinë, ne jemi ata që ndërtojmë ardhmëri, prandaj mos hezitoni të gjithë ju nga këshilltarët, shefat e shtabeve, kryetarë degësh, funksionarë të lartë, të sigurojmë fitoren e radhës fitore që do na rriste krenarinë tonë, andaj suksese ju dhe të gjithë aktivit të BDI-së”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Teuta Arifi tha se qytetarët pranuan ndryshimin. Tetova ka filluar ndryshimin dhe ky ndryshim duhet të vazhdojë me BDI-në. Me përcaktimin tuaj për të na votuar, do të votoni përparimin e problemit me mungesën e ujit për pije, do të votoni përmirësimin e kushteve në shkollat tona, do ta votoni ngritjen e cilësisë në arsim dhe do ta votoni për një Tetovë të pastër, tha Arifi.
“Çdo të tretën natë mbeturinat hidheshin në mënyrë të organizuar, ne luftuam për ajër të pastër, pastruam Tetovën, luftuam për mbylljen e fabrikës “Jogohrom” si ndotësi më i madh i rajonit së bashku me qytetarët, pastruam deponinë e egër, ku për fat të keq dikush për qëllime shumë të ulëta ndezi mbeturinat dy ditë përpara se të përfundonte ky projekt shumëvjeçar i yni”,- tha kandidatja për kryetare në Komunën e Tetovës, Teuta Arifi.
BDI ka punuar dhe në vazhdimësi do punoj për zgjidhjen e problemeve të Tetovës, përmes realizimit të projekteve të suksesshme me qëllim që Tetova të bëhet qytet modern dhe të zgjidhen problemet mesjetare që ka pasur ky qytet, andaj votoni BDI-në e cila ofron perspektivë.
FLUTURA LATIFI
