Zgjedhjet lokale 2017, Sela: Më 15 tetor kthehet dinjiteti i shqiptarëve
Aleanca për Shqiptarët mbrëmë mbajti konventën zgjedhore....

Aleanca për Shqiptarët mbrëmë mbajti konventën zgjedhore në të cilën ka promovuar kandidatët për kryetarë komunash dhe bartësit e këshilltarëve për komuna.
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha se BDI-së i ka ardhur fundi dhe shqiptarëve do u kthehet dinjiteti dhe ardhmëria me fitoren e Aleancës për shqiptarët, pasi kjo parti dita ditës po rritet në çdo shtëpi dhe familje.
“A e mbani mend kur Ahmeti tha se kryetari i Kuvendit duhet të jetë shqiptar, por kur erdhi momenti që të votonte për këtë ai nuk ishte në Kuvend, derisa ne ishim atje dhe kontribuuam, por edhe u sakrifikuam për këtë. Shqiptaria nuk lindi dhe nuk do të vdesë me Zijadin Selën, sepse shqiptaria jemi ne. Aleanca për Shqiptarët lind në çdo familje dhe mbrohet në çdo qytet, ndërsa më 15 tetor do të krijohet familja e madhe për të gjithë shqiptarët. Në këto zgjedhje ne kemi kandidatë për kryetarë të komunës edhe në qytetin e Shkupit, sepse ne nuk jemi në koalicion me asnjë prej partive dhe duam që të shikojmë se sa është fuqia jonë politike edhe atje”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Nga ana tjetër, kandidati për kryetar komune në Tetovë, Adnan Neziri, u shpreh se me ardhjen e tij në krye të komunës së Tetovës, Tetova do të marrë frymë më lirshëm dhe rezultatet do t’i shohin shumë shpejt qytetarët.
“Kemi ekip fitimtar dhe prandaj duhet që këtë ekip ta ruajmë që t’i përmirësojmë institucionet demokratike, të jenë të hapura drejt nesh, qytetarëve. Ne jemi ndryshimi që është i nevojshëm, ndërsa do të tregojmë këtë me punën në komunë. Qytetarët këtë do ta ndjejnë përmes rezultateve që do të arrijmë, për dallim nga autoritetet paraprake që nuk ofruan asgjë për ta. Ju bindim se jemi në rrugën e duhur për Tetovën, ekip fitimtar në të cilin ka nga profesione të ndryshme dhe se jemi të gatshëm që të punojmë për qytetarët”,- tha kandidati për kryetar në Komunën e Tetovës, Adnan Neziri.
Në Konventën e Aleancës për Shqiptarët në Tetovë, para të pranishmëve fjalime mbajtën edhe shefi i shtabit zgjedhor si dhe të gjithë kandidatët për kryetar të komunave nga kjo parti, të cilët premtuan se me fitoren e tyre në komunat për të cilat garojnë, jeta e qytetarëve do të ndryshojë tërësisht dhe pushteti lokal do të vihet në shërbim të qytetarëve të tij. (Visar Sadiki, TVM2)
