Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, BESA takime me qytetarët në Xhepçishtë

26.09.2017 16:52

Lëvizja BESA, pas konventës promovuese të kandidatëve të komunave, e ka përqendruar fushatën e saj jo në mitingje tradicionale...

Lëvizja BESA, pas konventës promovuese të kandidatëve të komunave, e ka përqendruar fushatën e saj jo në mitingje tradicionale, por në takime të drejtpërdrejta me qytetarët të kandidatëve të saj për garën komunale të 15 tetorit.
 
Kryetari i Lëvizjes BESA, njëherit edhe kandidat për kryetar në komunën e Tetovës, ka mbajtur një takim me qytetarë në fshatin Xhepçisht të Tetovës, ku para banorëve të kësaj komune promovoi projektet që i ofron kjo parti. Projektet që promovoi  Kasami kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës, duke u dhënë përparësi kompanive që do të punojnë në krijimin e bizneseve në dobi të qytetarëve.
 
“Përmes programit “Komuniteti për komunitetin”, ne do t’u ofrojmë të gjitha bizneseve të Xhepçishtit që të investojnë në projekte për komunitetin, një ndër ata është projekti për fëmijët dhe të rriturit si një qendër rekreacioni, si dhe projekti për parkun e PPD-së. Dikush mund të pyes se prej nga Lëvizja BESA ofron projekte milionëshe, me rëndësi është të kemi ide dhe përmes ideve ne do të gjejmë mënyrë për financimin e këtyre projekteve. Gjithçka është investim vetëm ideja është kapital, nëse kemi ide ne kemi kapitalin kryesor. Prandaj ju themi se të gjitha këto projekte do të realizohen, sepse idetë tona janë të qëndrueshme dhe reale. Të gjithë kompanitë të cilat do të duhet përmes këtij projekti të financojnë projekte me interes publik për komunitetin, do të jenë në një listë të veçantë të kompanive të cilat do të kenë prioritet në komunë për investimet dhe të gjitha iniciativat të cilat ndërmerr komuna dhe këto kompani do të jenë të favorizuara në të gjitha aktivitetet, tenderët që do t’i realizojë komuna e Tetovës dhe në këtë mënyrë ne do tua kthejmë atyre kompanive këtë investim të cilin ata do ta bëjnë për komunitetin e tyre, kjo është pika e cila do ta atakojë më direkt Xhepçishtin ku do të mund t’i stimulojmë kompanitë të cilat janë në territorin e Xhepçishtit, që të investojnë në të mirën e të gjithë banorëve të kësaj ane. Këto kompani do të rrisin interesin për investime me interes publik. Nuk do të ndalem në problemet esenciale me të cilat ballafaqohen komunat rurale, siç janë uji, kanalizimi, rrugët, ndriçimi publik, parqet, sepse vërtet këto janë nevoja imediate dhe është e palogjikshme që në shekullin XXI të ballafaqohemi ende me nevoja elementare të tilla”,- u shpreh kandidati i Lëvizjes BESA për  komunën e Tetovës, Bilall Kasami.
 
Edhe kandidatët e tjerë të kësaj partie për kryetarë komunash vazhdojnë takimet me qytetarët në komunat respektive. Ata kanë folur për mungesat me të cilat përballen banorët dhe se si planifikon BESA t’i tejkalojë ato. Përveç takimeve me qytetarët, nga Lëvizjes BESA prej nesër paralajmëruan se do të fillojnë më aktivitete publike për të promovuar projektet dhe planet për një jetë të re në Maqedoni.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU