Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, kandidatët e pavarur fushatë larg mediave
26.09.2017 17:25
Po zhvillohet pa bujë mediatike fushata zgjedhore e kandidatëve të pavarur për kryetarë komunash...

Pa një shtab zgjedhor që do të përkujdesej për të gjitha aspektet e fushatës, siç është edhe komunikimi me qytetarët përmes mediave, kandidatët e pavarur kanë zgjedhur të takohen vetë me qytetarët shtëpi më shtëpi, për t’u prezantuar vizionin e tyre dhe arsyet përse janë kandiduar si të pavarur.
Janë gjithsej 27 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash që do të garojnë në 16 komuna dhe 48 lista të këshilltarëve në 21 komuna. Kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti, ka filluar takimet me banorët e komunës për të treguar çfarë ka bërë në mandatin e kaluar dhe cilat janë projektet me të cilat do të prezantohet para tyre. Ai tashmë ka dalë para banorëve edhe me një letër të hapur ku i fton të kërkojnë llogari nga të gjithë kandidatët për kryetarë komunash që kërkojnë votën e tyre.
“Na qëndroni pranë për çdo premtim që do të japim, na sugjeroni ndonjë projekt që ta kemi parasysh gjatë përpilimit të programit katërvjeçar 2017-2021, na bëni pyetje deri sa të siguroheni se ai premtim është i realizueshëm. Votoni atë program që Ju vlerësoni se do të jetë më i miri për zhvillimin e komunitetit ku jetoni dhe mos lejoni që vota juaj të manipulohet apo ndryshohet jashtë vullnetit tuaj të lirë!”,- ka deklaruar Pajaziti paraprakisht.
Kandidati i pavarur për Bërvenicën, Enver Pajaziti, ka marrë tashmë mbështetje nga BDI dhe PDSh për kandidaturën e tij. Në garë si kandidatë të pavarur në Manastir garojnë Kirço Tashkov dhe Jorgo Ognenovski, në Ohër - Goran Kitevski dhe Stevçe Stevovski, në Çuçer Sandevë - Aco Popovski dhe Jovan Pejkovski. Në Valandovë - Stojan Manolev, në Vevçani - Poposki, në Gazi Babë - Toni Gurovski, në Gradsko – Gligur Kocev, në Debarcë - Jadranka Biban, në Dojran - Toni Ajcev, në Zërnovc - Metodi Nikollov, në Kavadar - Boris Davidov, në Karposh - Vladimir Kofçegarski, në Kumanovë - Marijanço Andelovski, në Makedonski Brod - Zharko Zlateski, në Mogilë - Stevo Pivkovski, në Negotinë - Gjorgji Ajtov, në Novaci - Peco Micovski, në Petrovec - Zvonko Cvetkovski, në Probishtip - Goran Filovski, në Radovish - Jure Gjergjiev, në Rankovc - Ivica Toshevski, në Strugë - Nasto Palioski.
GYLTEN SINANI
