Botë

Pacolli në Podgoricë: Ratifikimi i demarkacionit tani për tani i pamundur

26.09.2017 17:57

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka deklaruar sot në Podgoricë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi “në këtë moment është i pamundur”...

“Ne jemi të vetëdijshëm se marrëveshja është nënshkruar, por ju lutem të kuptoni dhe të keni durim”,- u tha Pacolli gazetarëve në Podgoricë, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq.

Ministri i Jashtëm malazez, Sërgjan Darmanoviq, tha se pret që institucionet e Kosovës ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacion. “Kemi mirëkuptim për proceset në Kosovë dhe presim që marrëveshja të ratifikohet”,- tha Dërmanoviq, duke theksuar se çështja e kësaj marrëveshjeje në Mal të Zi ka përfunduar. 

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn, i cili aktualisht është kryeministër i Kosovës.