Maqedoni

Punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuar, 816 kërkesa për kompensim

26.09.2017 18:40

Drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska, thotë se deri tani nuk është sjellë asnjë vendim edhe pse kanë arritur 816 kërkesa...

Drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska, thotë se deri tani nuk është sjellë asnjë vendim edhe pse kanë arritur 816 kërkesa nga punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara për pagesën e kompensimit. Kërkesat janë parashtruar në pajtim me Ligjin e miratuar kohë më parë për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi shtetërore.
 
“Afati për parashtrimin e kërkesave është një vit, ndërsa kërkesat parashtrohen përmes rrugës elektronike. Punëtorët e firmave të falimentuara duhet të parashtrojnë vetëm letërnjoftim për identifikim, ndërsa dokumentet e tjera Agjencia do t’i sigurojë sipas detyrës zyrtare. Nëse kërkesa nuk mund të parashtrohet përmes rrugës elektronike, punëtorët e falimentuar këtë mund ta bëjnë në arkivin e qendrave për punësim”,- deklaroi drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska.
 
Lehtësim në këtë ligj është ajo që nuk është i nevojshëm që stazhi të jetë i paguar. Mjafton që personat të kenë qenë në marrëdhënie pune, gjegjësisht si dëshmi në artikullin e kërkesës janë vetëm M1 dhe M2 formularët, sqaroi Jovanovska. Me Ligjin për punëtorët e firmave të falimentuara pritet që rreth 3.500 persona të marrin kompensim mujor prej 7.596 denarë, gjegjësisht 34 për qind nga neto paga e paguar mujore gjatë vitit të kaluar. Kompensimin mund ta shfrytëzojnë personat e papunë të moshës nga 52 vjet gratë dhe 55 vjet burrat me të paktën 15 vjet stazh pune. 
 
SEVDIJE METAJ-ZYBER