Maqedonasit e Shqipërisë kërkojnë lirimin Themelkos
Partia e maqedonasve në Shqipëri, Aleanca Maqedonase për Integrim Europian....

Partia e maqedonasve në Shqipëri, Aleanca Maqedonase për Integrim Europian, dënon rreptësisht arrestimin e Edmond Themelkos, kryetarit aktual në komunën e Pustecit në Shqipëri, që akuzohet për “parregullsi zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Maqedoni”.
Aleanca Maqedonase për Integrim Europian konfirmon se Edmond Temelko ka kryer çdo ditë detyrimet e tij si kryetar i komunës së Pustecit në Republikën e Shqipërisë, shtetësinë dhe pasaportën e të cilës gjithashtu e posedon dhe asnjëherë nuk është fshehur apo është arratisur nga vendi.
Kjo parti konsideron se arrestimi i Edmond Temelkos paraqet fyerje për të gjithë maqedonasit që jetojnë në Republikën e Shqipërisë dhe kërkon nga presidenti i Republikës së Maqedonisë të ndërhyjë me qëllim lirimin e tij nga burgu ku aktualisht po mbahet, duke pasur parasysh këtu edhe gjendjen e tij të rëndë shëndetësore.
Edmond Themelko dje pasdite është arrestuar në qytetin e Shkupit, pasi për të ishte shpallur një fletëarrest vendor dhe ndërkombëtar. Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkup 1 e pranoi kërkesën e PPS-së dhe i caktoi Themelkos masë paraburgimi prej 30 ditësh.
