Zgjedhjet lokale 2017, ASh konventë promovuese në Gostivar

27.09.2017 14:38

Aleanca për Shqiptarët mbajti konventën promovuese në Gostivar.....

Aleanca për Shqiptarët mbajti konventën promovuese në Gostivar, ku promovoi kandidatin e saj për kreun e kësaj komune, Arben Taravarin, dhe listën për këshilltarët komunal.

Kandidati për të parin e Gostivarit, Arben Taravari, shpalosi programin e tij me nëntë prioritete, siç janë mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, transportin publik me automjete ekologjike, transportin falas për personat e rrezikuar social dhe pensionistët, azilin e pleqve, subvencionet për familjet me një prind, ndërtimin e qendrës për të rinj, mensat shkollore me ushqim të shëndetshëm etj. Ky program, sipas Taravarit, garanton zhvillim të theksueshëm të Gostivarit.

“Ekipi im ka njerëz të mirë, por mbi të gjithë të aftë. Të gjithë bashkë kemi përgatitur një program relativisht ambicioz e mbi të gjitha ky program është europian. Nuk është normale që në Gostivar të ketë probleme që janë zgjidhur në mesjetë në Europë dhe në Botë. Nuk është normale që disa njerëz të trajtohen të nënës e disa të njerkës. Nuk ka njerëz me parti të dalluar, me gjuhë të dalluar, me etni të dalluar, ka vetëm gostivaras dhe ne meritojmë më të mirën”,- deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit – ASh, Arben Taravari.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, tha se ka ardhur koha që Gostivari të shpëtojë nga keqmenaxhimi i komunës, ndërsa njeriu më i aftë për të bërë ndryshime është Arben Taravari. Sipas tij, shqiptarët shpresën për ndryshim e shohin tek Aleanca për Shqiptarët, andaj ai ftoi të gjithë që më 15 tetor të votojnë numrin nëntë.

“Aleanca për shqiptarët dallon vetëm në një, ne nuk kemi fjalë ne kemi punë, ne nuk themi duhet, por e bëjmë atë që duhet. Për ne deri më tani është thënë edhe me të drejtë, shumë dashamirë dhe miq na përcjellin bisedat që bëhen përditë duke na thënë që shpresat janë tek Aleanca për Shqiptarët dhe unë jam i bindur që këtë radhë shqiptarët do ta dëshmojnë më 15 tetor dhe me të vërtetë shpresën e tyre do ta shprehin me votë, duke rrethuar numrin nëntë”,- u shpreh kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Besim Memedi, bartësi i listët së kandidatëve për anëtarë të Këshillit, i cili e theksoi profesionalizmin e njerëzve të cilët do të jenë pjesë e ekipit, për të cilët, siç tha, janë të dëshmuar. (Ersan Pajaziti, TVM2)