Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, Ibrahimi: Vota për BESËN çliron Çairin
27.09.2017 15:54
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e Lëvizjes BESA, përzgjodhi godinën e Komunës së Çairit që...

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e Lëvizjes BESA, përzgjodhi godinën e Komunës së Çairit që, siç tha ai, edhe fizikisht të dëshmojë se kjo komunë do të çlirohet nga pengmarrja që ia kanë bërë për 12 vite personat të cilët kanë keqqeverisur me të.
Sipas tij, duke filluar nga sot, çdo ditë Lëvizja BESA do të flet nga ndonjë kënd i Çairit për tua freskuar memorien qytetarëve se çfarë ka ndodhur me Çairin përgjatë 12 viteve dhe të tregojë se cila është zgjidhja lidhur me këto probleme konkrete. Me këtë rast kandidati për kryetar i Komunës së Çairit nga radhët e Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, tha se “ai që gënjen quhet gënjeshtar, ai që mashtron quhet mashtrues dhe ai që nuk mban premtimin e dhënë quhet i pabesë”.
Ai më tej shton se “këto janë definicione që i kemi mësuar si fëmijë, por që tani na vinë ndërmend duke parë se oponentët politik, partia që deri tani ka keqqeverisur me Çairin, në vend se të kërkojë falje për shëmtinë dhe degradimin që ia ka bërë Komunës së Çairit, përkundrazi ai akoma ka guxim të dalë dhe të kërkojë votën e banorëve. Sot do kujtojmë vetëm një premtim të stafit, gazifikimin”.
“Për të dëshmuar se çka ka ndodhur me Çairin, sot do të kujtojmë vetëm një premtim të stafit që deri më tash e ka keqqeverisur Komunën e Çairit, gazifikimi i Çairit. Ky është një premtim që kryetari në ikje i Komunës së Çairit e pati bërë me shumë pompozitet dhe me siguri se kjo punë do bëhej gjatë mandatit 2013-2017. Prandaj, kur jemi sot këtu duhet t’i pyes qytetarët e Çairit dy pyetje, a ka ndodhur gazifikimi në Çair dhe meqë përgjigjen e dimë, pyetja tjetër është nëse dje kryetari i Komunës nuk e ka mbajtur premtimin, pse qytetarët sot duhet t’i besojnë kandidatit tjetër të po kësaj partie. Neve nuk na bëjnë përshtypje prezantimet e bukura në slajde e fotografi të punuara në fotoshop, as llafologjia e tyre, sepse ato janë repriza me epilog të njohur, në fund kryepersonazhi e kryen mandatin duke mos i mbajtur premtimet, e shet shtëpinë dhe ik në komunë tjetër”,- deklaroi kandidati për kryetar në Komunën e Çairit nga Lëvizja BESA, Zeqirija Ibrahimi.
Kandidati për kryetar i Komunës së Çairit nga radhët e Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, bëri të ditur se qytetarët nuk do të lejojnë të mashtrohen edhe më tej.
Sipas tij, nëse një herë gënjen dhe e thyen premtimin e dhënë, tërë jetën do mbetesh gënjeshtar dhe i pabesë, ndërsa nëse gënjen vite të tëra edhe atë 12 vjet rresht, kjo është detyrë tejet e vështirë edhe për matematikanët më të mirë për ta zgjedhur. Megjithatë, sipas tij, Lëvizja BESA është këtu për të përçuar mesazhin e saj drejtuar qytetarëve, se pavarësisht faktit se numri i mashtruesve në këtë fushatë është shtuar shumë, ne do të jemi këtu për të dëshmuar se nuk janë të gjithë pjesëmarrësit në këtë fushatë parazgjedhore mashtrues dhe premtimthyes, andaj Lëvizja BESA do të bëjë gjithçka për të rikthyer besimin e humbur tek qytetarët, sepse, sipas tij, ata të cilët nuk i mbajnë premtimet, nuk e meritojnë besimin dhe votën e qytetarëve. Andaj vota e dhënë për lëvizjen BESA do jetë votë e dhënë për çlirimin e Komunës së Çairit, tha Ibrahimi.
FLUTURA LATIFI
