Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, LSDM tubime në Gjevgjeli dhe Bogdanc
27.09.2017 16:19
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, mbrëmë në Gjevgjeli deklaroi se kjo komunë mund të bëhet europiane sepse është porta e Maqedonisë europiane...

Lideri socialdemokrat tha se me fitoren e kandidatit të kësaj partie, në këtë komunë do të ndërpritet kaosi urbanistik dhe do të ndërtohet pa u marrë provizione qytetarëve.
“LSDM dhe koalicioni ka vizion dhe plan për jetë në Gjevgjeli për të gjithë qytetarët. Programi i LSDM-së bazohet në katër shtylla. E para, ndërtojmë me plan infrastrukturë kualitative për të gjithë. E dyta, ujë të pastër dhe ajër të pastër që të ketë shëndet për të gjithë. E treta, më shumë para nëpër komuna, më shumë para dhe mundësi për qytetarët. E katërta, komunë e hapur dhe në shërbim për të gjithë. Ndërtojmë sipas planit do të thotë se asnjëherë më nuk do të ndërtohet siç do t’i kujtohet kryetarit të komunës apo klikës në pushtet. Do të ndërtojmë vetëm sipas planit në marrëveshje me bashkësinë, do të ndërtojmë me kualitet dhe përgjegjësi, pa improvizime dhe kaos urbanistik, pa provizione nga projektet ndërtimore në Gjevgjeli. E dyta, do të punojmë për ujë të pastër dhe ajër të pastër. Asgjë nuk është më me rëndësi se sa shëndeti i qytetarëve tanë. A jemi në shekullin XXI, Gjevgjelia të mos mund të thotë se ka ujë të pastër për pije? Tetë vite Frangov gënjen se më në fund to të vijë uji për pije”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Edhe kandidati i LSDM-së për kryetar të Gjevgjelisë, Sasho Pockov, premtoi përmirësim të jetës së qytetarëve nëse del fitues në këto zgjedhje.
“Po fillon epoka e re për Maqedoninë dhe Gjevgjelinë tonë. Po vjen epokë e re, kohë e re për punë të hapur, transparente dhe të ndershme, të përgjegjshme të pushtetit qendror dhe lokal. Po vjen koha kur pushteti do të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo të një grupi të caktuar. Po vjen koha kur pushteti do të sjellë jetë për të gjithë ne në Gjevgjeli. Jam i vendosur, e dua Gjevgjelinë dhe do t’i investoj maksimalisht të gjitha kapacitetet e mija, të gjitha dituritë, përvojën politike për realizimin e vizionit, për Gjevgjeli europiane, moderne dhe Gjevgjeli të gjelbër”,- tha kandidati i LSDM-së për kryetar të Gjevgjelisë, Sasho Pockov.
LSDM dhe partnerët e koalicionit aktivitetet parazgjedhori i zhvilluan edhe para banorëve të Bogdancit, ku për të parin e komunës garon Bllashko Shapov.
“Zgjidhja e problemit me kanalizimin është vendosja në përdorim e sistemit kolektor dhe përgatitja e dokumentacionit të plotë të stacionit të filtrimit për Bogdancin, për çka janë të nevojshme një sasi e madhe mjetesh, prandaj do të realizohet në dy faza. Gjithmonë gjatë reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të qytetit grumbullohet uji, që u shkakton problem qytetarëve gjatë lëvizjes, shkakton pengesa në komunikacion, e shumë herë edhe dëme në objekte banesore dhe publike, prandaj nevojitet zgjidhje e këtij problem”,- theksoi kandidati i LSDM-së për kryetar të Bogdancit, Bllashko Shapov.
Po ashtu koalicioni për jetë në Maqedoni i udhëhequr nga LSDM ka prezantuar edhe kandidatët e saj për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunal në komunat e Dojranit dhe Vallandovës.
GYLTENE SINANI
