Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, VMRO-DPMNE tubim në Koçan
27.09.2017 16:49
Kandidati për deputet nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ratko Dimitrovski, para qytetarëve të Koçanit prezantoi programin për zgjedhjet lokale të 15 tetorit...

Duke iu referuar projekteve që duhet të realizohen në katër vitet e ardhshme, Dimitrovski tha se rigjallërimi i ekonomisë së Koçanit do të vazhdojë sepse përvoja e hyrjes së investimeve të huaja në ekonominë e Koçanit ka ofruar 2,000 vende të reja pune.
“Në katër vitet e ardhshme do të realizojmë një numër të madh projektesh që do të jenë në të mirë të qytetarëve. Në këto projekte hynë ndërtimi i branës së Reçanit në lumin Orizarë, përfundimi i autostradës Shtip-Koçan, shfrytëzimi i ujërave gjeotermale përmes partneritetit publik-privat, gazifikimi i qytetit dhe ndërtimi i garazhës shumëkatëshe. Do të ringjallim ekonominë e Koçanit. Gjithashtu do të hapim 2,000 vende të reja pune, që do të sigurohen duke hyrë investime të huaja në ekonominë e Koçanit”,- deklaroi kandidati për kryetar në Koçan, Ratko Dimitrovski.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, gjatë tubimit në Koçan tha se këto zgjedhje lokale do të fitohen nga koalicioni "Për Maqedoni më të mirë", me ç’rast, siç tha, do t’i jepet fund errësimit në shumë sfera të jetës shoqërore në vend. Sipas tij, me 15 tetor qytetarët do të votojnë kundër Qeverisë aktuale, pasi që janë vetëdijesuar se vjen një epokë e re dhe jetë e re në Maqedoni.
“Përderisa qeveria zhytet në mungesë idesh dhe paaftësinë e saj, ne kemi krijuar një plan që parashikon 150,000 vende të reja pune, një rënie të papunësisë nën dhjetë për qind, Maqedonia të bëhet anëtare në NATO dhe në Bashkimin Europian. Qytetarët për këto katër muaj të sundimit të LSD-së ishin të bindur se gjithçka që u premtohet ishte erë dhe mjegull, nuk ka realizim të premtimeve”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Gruevski foli gjithashtu edhe rreth Ligjit për gjuhët dhe referendumet që, sipas tij, duhej të mbaheshin në 20 qytete në vend në ditën e zgjedhjeve, me të cilat qytetarët do të shprehnin zërin e tyre kundër migrimit të emigrantëve në vend.
Gruevski theksoi edhe ndalimin e të gjitha projekteve ndërtimore dhe projekteve që janë filluar nga VMRO-DPMNE, ndërsa kjo sjellje e LSDM-së, sipas tij, është një politikë shkatërruese e Qeverisë aktuale. “Pres që më 15 tetor VMRO-DPMNE të marrë mbështetje absolute nga qytetarët dhe kështu do të fillojë një jetë e re në Maqedoni”,- tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, para qytetarëve të Koçanit.
SANIJE DURAKU
