Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, BDI: program për prosperitetin e komunave
27.09.2017 17:12
Bashkimi Demokratik për Integrim filloi fushatën zgjedhore nga komuna e Dollnenit. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti...

Bashkimi Demokratik për Integrim filloi fushatën zgjedhore nga komuna e Dollnenit. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ftoi banorët e kësaj ana që më 15 tetor të dalin në zgjedhje dhe të rrethojnë numrin tre, për të rikthyer komunën e humbur në zgjedhjet fundit. Sipas tij, programi që ofron kandidati i BDI-së është programi më i mirë dhe ka mbështetjen e gjithë strukturave të BDI-së. “Duke u bashkuar të gjithë, ju ktheni një të mirë të përbashkët për të gjithë komunitetin që jeton në këto hapësira”,-tha Ahmeti.
“Të nderuar vëllezër, sidomos ju të Cërnilishtit, ta dini një, sytë e të gjithë neve andej janë këtu në Cërnilishtë. Nga ju presim këtë radhë të na ktheni krenarinë e para katër vitesh. Nga ju presim të krijoni bashkimin më të madh të të gjithë fshatrave tjera, duke filluar që nga Debreshi, Llazhani, Zhitosha, Desova. Keni një mision histori këtë radhë, prandaj sytë janë tek ju. Ju duhet t’i afroni të gjithë. Ju duhet t’i bashkoni të gjithë. Me 15 tetor të gjithë së bashku të votojmë, votoni numrin tre”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndërkaq, kandidati i BDI-së për kryetar i Komunës së Dollnenit, Xhemil Qamili, numëroi projektet e parapara me programin zgjedhor nga më shumë sfera, posaçërisht në infrastrukturë dhe arsim. Për të realizuar programin duhet të rikthejmë komunën, theksoi Qamili.
“Ta rikthejmë komunën bashkërisht. Për dallim nga oponentët tanë politik, të cilët e luajnë rolin e tyre të përçarësit, ne sot këtu dalim para jush me ofertë programore për prosperitetin tuaj, për zhvillimin ekonomik, arsimin si vatër e diturisë, për shëndetin tuaj dhe mirëqenien sociale, për zhvillimin e infrastrukturës, ambientit jetësor, me një fjalë për një jetë më mirë për të gjithë”,- u shpreh kandidati i BDI-së për kryetar komune, Xhemil Qamili.
Qamili premtoi para banorëve të zonës se do të bëjë asfaltimin e rrugëve dhe rrugicave në Cërnilishtë, Debresh, Zhitoshë, Llazhan, Peshtalevë, Desovë, Gostirash, Llokven dhe në fshatrat e tjera. Sipas tij, është paraparë edhe rregullimi i shtretërve të lumenjve që kalojnë në mes të fshatrave. Me vlerë kapitale në programin e tij, Qamili konsideroi projektin për hapjen e rrugës rajonale që lidh Dollnenin me komunën e Velesit, që, sipas tij, do të jetë arterie vitale për zhvillimin ekonomik të kësaj zone. Ai u zotua se do të bëjë çmos që të hapet dhe asfaltohet rruga që lidh Zhitoshën dhe Borinën.
Sa i takon arsimit, Qamili premtoi ndërtimin shtesë të tre klasave në Shkollën Fillore “Ismail Qemali”, rikonstruimin e Shkollës Fillore “Liria” në Zhitoshë, Shkollës Fillore në Llazhan dhe në Desovë, shtimin e dy klasave për mësim. Kandidati për kryetar komune ftoi banorët e kësaj ane që më 15 tetor të dalin në masë dhe të votojnë numrin 3.
Ai akuzoi garniturën e mëparshme politike për shpërfillje të arsimit në gjuhën shqipe në Dollnen, duke i lënë fëmijët pa kushte elementare në shkolla, pa rrymë, pa ngrohje, me dritare të thyera dhe me një borxh prej disa qindra mijë euro.
SHPËTIM NUREDINI
