Botë

Krijimi i koalicionit, detyra e vështirë e kancelares Merkel

27.09.2017 21:27

Kancelarja Angela Merkel është paralajmëruar nga partnerët e mundshëm të koalicionit se do të përballet me sfida të vështira për të vënë në funksion qeverinë...

“Politika nuk është matematikë”, ka paralajmëruar lideri i FDP-së, Christian Lindner, i cili shihet si një aleat i mundshëm. 
 
Ndërkohë raportohet se ministri i deritanishëm i Financave Wolfgang Shcauble nuk do të mbajë më këtë post. Ai pritet të marrë rolin e presidentit të Bundestagut. 
 
Schauble, 75 vjeç, shihet prej kohësh si një figurë influente në Eurozonë dhe është një avokat i sertë i masave anti-krizë të ndërmarra nga kontinenti i vjetër. 
 
Zgjedhja e pasardhësit të tij në krye të Financave pritet të jetë dhe pika e nxehtë e negociatave për formimin e koalicionit. Posti synohet nga FDP dhe pikërisht zoti Lindner mund të jetë ai që do ta plotësojë boshllëkun e krijuar nga Schauble. 
 
Ndërkohë, analistët gjermanë sugjerojnë se ky i fundit mund të përdorë eksperiencën e tij politike për të kontrolluar debatet e nxehta në parlament, ku do të përfshihen edhe nacionalistët e ekstremit të djathtë AfD. 
 
Pasiguritë politike që kanë përfshirë Gjermaninë pas zgjedhjeve kanë çuar euron në nivelin më të ulët të muajit deri këtë të mërkurë. 
 
Aleati më i mundshëm qeverisës për Partinë Kristian Demokrate të Merkel është FDP-ja dhe të Gjelbrit. Nëse kancelarja dështon në arritjen e një marrëveshjeje në muajt e ardhshëm, atëherë vendi rrezikon të përballet me zgjedhje të reja./Top Channel