Maqedoni

Kërçovë, incident i armatosur, tre të lënduar

28.09.2017 12:16

Tre persona janë lënduar në një incident të armatosur mbrëmë në Kërçovë...

Në zënkë janë përfshirë kandidati i pavarur për këshilltar, Alit Abazi, dhe Destan Abdiu, por incidenti nuk ka lidhje me procesin zgjedhor. I lënduar lehtë ka mbetur edhe një person që gjendej privatisht në lokal.
 
Sektori për Punë të Brendshme në Kërçovë ka ngritur kallëzim penal kundër një 58 vjeçari nga fshati Strogomisht i Epërm në Kërçovë, i cili dyshohet si autor i plagosjes së tre personave. 
 
“Kallëzimi penal ka të bëjë me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale “vrasje” dhe “mbajtje dhe tregtim të paligjshëm me armë dhe lëndë plasëse”. 58 vjeçari, dje, me një pistoletë “Sog Sauer” me kalibër 9 milimetra, ka shtënë drejt A. A. (40) vjeç nga fshati Sërbjan, D. A. (58) vjeç nga Kërçova dhe një 54  vjeçar nga Greshnica e Kërçovës”,- njoftojnë nga SPB në Kërçovë.
 
Dy të lënduar për shkak të lëndimeve serioze janë transferuar në Shkup, ndërkaq personi i tretë, pas ndihmës mjekësore, është lëshuar për mjekim në shtëpi. Prokurori publik dhe ekipi i policisë kanë kryer hetimet në vendin e ngjarjes dhe gëzhojat e marra nga vendngjarja  janë dërguar në ekspertizë.
 
HAMIDE IBRAHIMI-EMINI