Maqedoni

Rasti “Lagja e trimave”, aktvendimi gjyqësor më 17 tetor. Mbrojtja nuk pret vendim të drejtë gjyqësor

28.09.2017 13:30

Më 17 tetor do të dihet aktvendimi për të akuzuarit në rastin “Lagjja e trimave”...

Mbrojtja ankohet se nuk u është lejuar të shpalosin të vërtetën as pas 60 seancave gjyqësore. Pas veprimeve të deritanishme të trupit gjykues, avokati Raufi nuk pret vendim të drejtë për rastin. Raufi ankohet se gjykata u ka hedhur poshtë prova e dëshmitarë dhe kërkon hetim të plotë ndërkombëtar për rastin.
 
“Kur trupi gjyqësor nuk do ta zbardhë rastin, kur i refuzon provat e avokatëve si ekip që jemi në atë mendim, se nuk presim ndonjë aktgjykim të drejtë, pasi vet refuzimi i provave do të thotë moszbardhjen e rastit”.,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Kjo ishte seanca e fundit ku të akuzuarit mund të shprehin fjalët e tyre përfunduese mbi akuzën. Besnik Bajrami, Ebib Aliji, Ibrahim Murtezi dhe Seabudin Abdullai i kërkuan llogari prokurorisë se në bazë të çfarë provave e kanë gjetur lidhshmërinë e tyre me grupin. Të gjithë ata mohuan që kanë pasur lidhje me grupin.
 
“Në këtë ngjarje të pakëndshme i akuzuari, Ebib Aliji, nuk ka ditur as për grupin as që ka pasur ndonjë kontribut për rastin”,- tha avokati mbrojtës, Zvonko Jocevski.
 
Gjykata refuzoi provat për rreth 25 dëshmitarë të mbrojtjes, persona të shërbimit sekret dhe persona publik me arsyetimin e trupit gjykues se nuk kanë vlerë. Shumë forume ndërkombëtare nuk janë lejuar të marrin pjesë në gjykim. Të akuzuarit e tjerë mohojnë akuzën për terrorizëm dhe thonë se arsyeja e ardhjes së tyre në Kumanovë është çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të Maqedonisë.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI