Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, LSDM tubime në Kisella Vodë dhe Aerodrom

28.09.2017 14:48

Më në fund Shkupi dhe komuna e Kisella Vodës mund t’u gëzohen ndryshimeve dhe jetës...

Më në fund Shkupi dhe komuna e Kisella Vodës mund t’u gëzohen ndryshimeve dhe jetës, deklaroi në tubimin e mbrëmshëm parazgjedhor në komunën e Kisella Vodës lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai tha se “koha është për ndryshime pasi kjo është kryeqendra jonë por këtu koha ka ndaluar, sepse udhëheqësit e deritanishëm në Kisella Vodë dhe Shkup nuk i mbajtën premtimet. Ende qytetarët e kryeqytetit tim këtu në Kisella Vodë, turpërohen të thonë se jetojnë në kryeqendër”,- tha Zaevi, duke theksuar se “ata ende ecin në rrugë me baltë, ndërsa mungojnë kushtet elementare si ujësjellësi, apo kanalizimi”.
 
Zaevi po ashtu vlerësoi se komunat janë një nga segmentet më të rëndësishme të pushtetit për qytetarët. Të pranishmëve iu drejtua edhe kandidati për kryetar të Shkupit, Petre Shilegov, dhe ai për kryetar të Kisella Vodës, Filip Temellkovski, të cilët mes tjerash premtuan gazifikimin dhe mbrojtjen e ambientit.
 
“Jemi të obliguar ndaj këtyre dhe gjeneratave të reja, të sigurojmë ajër të pastër dhe ujë të pastër për pije. Paratë e tona, paratë tuaja nuk do t’i shpenzojmë më për palma derisa gjysma e Shkupit nuk ka ujësjellës dhe kanalizim. Nuk do të shpenzojmë më para për stiropol dhe bronz derisa qyteti ynë, fëmijët tanë, po helmohen. Hapim perspektivë për të gjithë këta njerëz, patjetër të kujdesemi për ta që këtu në Shkup ta ndërtojnë të ardhmen e tyre”,- u shpreh kandidati i LSDM-së për kryetar të Shkupit, Petre Shilegov.  
 
“I dimë të gjitha problemet por edhe zgjidhjet e tyre. Kemi evidentuar shumë lëshime, por për shumicën prej tyre kemi zgjidhje. Shumë prej problemeve do t’i zgjidhim së bashku me pushtetit qendror, me qeverinë, një pjesë edhe me qytetin e Shkupit, ndërsa për pjesën më të madhe të nevojave të qytetarëve dhe problemet e tyre të përditshme do të punojmë në mënyrë sistematike dhe do t’i zgjidhim hap pas hapi. Ju premtoj se secili qytetar do të shërbehet njësoj në komunë. Dyert e komunës do të jenë të hapura për të gjithë pa marrë parasysh përkatësinë partiake”,- deklaroi kandidati i LSDM-së për kryetar të Kisella Vodës, Filip Temellkovski.
 
LSDM dhe koalicioni mbajtën tubim edhe në komunën e Aerodromit. 
 
“Komuna është kompetente për planifikimin urbanistik, ja planifikimi urbanistik gjatë gjithë këtyre viteve në Aerodrom, e mbyllën hapësirën nuk ka ajër. Aerodromi, ajër, por nuk ka ajër këtu nga gjithë këto punë hajnash, nga dëshira për të marrë banesa për Ivica Konevskin dhe mafian urbane. E shkretuan Aerodromin qytetarët thonë se nuk mund të marrin ajër, gjithçka është ndërtuar pa plan. Planet urbanistike u ndryshuan gjatë natës, secila hapësirë u zu për përftime të parave nga hajnat”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
“Kemi plan konkret, masa dhe projekte që ta përmirësojmë jetën e gjithë qytetarëve. Do t’i ndihmojmë qytetarët që të sigurojnë ngrohje ekologjike nëpërmjet subvencioneve. E dimë se ka familje që nuk kanë para për ngrohje, ne do ti ndihmojmë, do t’i lidhim me ngrohtoren, me çka do ta zvogëlojmë ndotjen dhe harxhimet. Do t’i gazifikojmë të gjitha objektet publike në komunë, me çka do ta mbrojmë ajrin nga ndotja, por edhe do të kursejmë, që parat e kursyera ti shfrytëzojmë për projekte tjera kapitale”,- tha kandidati për kryetar të komunës së Aerodromit, Zlatko Marin.
 
Votën nga qytetarët e Aerodromit e kërkoi edhe kandidati i LSDM-së për kryetarë të Shkupit, Petre Shilegov.
 
GYLTENE SINANI