Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, Thaçi: Votoni shqiptarët, na rrezikohen komunat

28.09.2017 15:17

Me moton "Vetëm drejt", PDSh mbajti mbrëmë tubim në Çellopek të komunës së Bërvenicës...

Në fjalimin e tij kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, sqaroi se do të përkrahin kandidatin e pavarur për kryetar të kësaj komune, pasi, siç tha, nuk dëshirojnë që të përçajnë votën shqiptare. Por, edhe përkundër përkrahjes së kandidatit të pavarur, Thaçi kërkoi mbështetje maksimale për listën e këshilltarëve të PDSh-së në këtë komunë.
 
“Vetëm duke përkrahur listën e PDSh-së do të vulosim faktin se kjo komunë është e shqiptarëve",- tha Thaçi. Për të, situata aktuale është shumë e rrezikshme sepse partitë politike maqedonase janë vërsulur të marrin disa komuna ku deri më tani kanë udhëhequr shqiptarët.
 
“Pas këtyre zgjedhjeve, maqedonasit kanë planin e regjistrimit të popullsisë dhe atë të jeni të sigurt, jo ju po tjerëve tua paraqesim se ata shkojnë me nocionin "kush i ka dhentë ai e ha livadhin". Janë të rrezikuara Komuna e Strugës, Kërçovës, Dibrës, Komuna e Bërvenicës dhe shumë komuna të tjera. Në emër të këtij interesi gjithëkombëtar u kërkojmë të gjithë shqiptarëve që të kenë një angazhim maksimal sidomos në këto komuna”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
Bartësi i listës për këshilltar komunal në Komunën e Bërvenicës, Arben Rufati, premtoi se nëse fiton besimin e qytetarëve në këtë komunë do të kujdeset për ndërtimin e rrugëve për restaurimin e shkallëve dhe për përfundimin e kanalizimit.
 
“Prioritet i grupit të këshilltarëve të PDSh-së dhe i imi si bartës i listës do të jetë përfundimi i kanalizimit fekal në fshatin Çellopek, rregullimi i shtratit të ujërave natyror në të gjitha fshatrat, mirëmbajtja e rrugëve gjatë kohës së dimrit dhe asfaltimi i rrugëve brenda fshatit Miletin dhe Tenovë. Në këtë komunë problem mbetet grumbullimi dhe gjetja e lokalitet të deponisë për mbeturinat e forta dhe të lehta”,- tha bartësi i listës për këshilltar komunal në Bërvenic – PDSh, Arben Rufati. 
 
Nga PDSh thonë se do të vazhdojnë politikë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe asnjëherë nuk do t’i dëmtojnë këto interesa në emër të qeverisjes lokale apo qeverisjes qendrore. “Prandaj ju kisha lutur që më 15 tetor të gjithë të jemi vigjilentë dhe asgjë mos t’i lëmë rastësishëm”,- tha lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, para banorëve të Çellopekut.
 
AMIR DURAKU