Maqedoni
Politika dhe personat me pengesa, kërkohen zgjidhje ligjore dhe mundësi të njëjta
28.09.2017 15:47
Angazhimi më i madh i personave me pengesa fizike në jetën politike dhe mënyrat se si të arrihet kjo gjë, ishin temat që u shqyrtuan nga grupet interpartiake parlamentare...

Edhe këta qytetarë kanë të drejtë vote, prandaj kanë të drejtë edhe të angazhimit më të madh në politikë. Organizatat që përkujdesen për personat me pengesa dhe misioni i OSBE-së përkujtojnë se diskriminimi duhet parandaluar.
“Për herë të parë diskutohet për pjesëmarrjen tonë në politikë dhe unë dua të rikujtoj shtetin se si të gjithë bashkësitë tjera edhe për ne duhet marrë masa për inkuadrim të drejtpërdrejtë në rrjedhat politike”,- deklaroi Elizabeta Kocovska nga Polio Plus.
“Filluam të punojmë me KShZ-në, me ç’rast patëm vlerësim për qasje deri te të gjitha vendet zgjedhore. Ne punojmë që tu sigurojmë personave me pengesa në të pamurit kartela që edhe ata të jenë pjesëmarrës në zgjedhje”,- tha shefi i misionit të OSBE-së, Gonzalo De Ceyare.
Politikanët premtuan zgjidhje ligjore për mundësi të njëjta.
“Punëtoria e sotme do të japë disa prej ligjeve dhe pikënisjeve për angazhim konkret sepse tani jemi në fushatë parazgjedhore për zgjedhjet lokale dhe do mund të shihet se sa është përfshirja e këtyre personave në kuadër të angazhimit aktiv në politikë”,- u shpreh kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
“Në periudhën e ardhshme te ne mund të gjeni bashkëpunëtorë të sinqertë të orientuar në detektimin e legjislativës për përmirësimin e të drejtave dhe monitorimin e obligimeve nga institucionet shtetërore”,- theksoi kryesuesja e grupit parlamentar për të drejtat e personave me hendikep, Frosina Remenski.
Misioni i OSBE-së dha edhe rekomandime për harmonizim të Kodit Zgjedhor me konventën për të drejtat e personave me pengesa.
FLUTURA LATIFI
