Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, Ahmeti: Garojmë vetëm aty ku jemi të sigurtë

28.09.2017 16:06

Bashkimi Demokratik për Integrim e ka vazhduar tubimet mbrëmë në Komunën e Butelit...

Në një takim me banorët e kësaj komune, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ftoi ata që të mbështesin kandidatët e nominuar nga kjo parti pasi që, siç tha, suksesi i tyre përbën sukses për të gjithë shqiptarët.
 
Ahmeti para banorëve të Butelit u përqendrua në vendimin e partisë për të mos dalë me kandidat për kryetar komune në Butel, Shkup dhe Kumanovë, por vetëm me listë për këshilltarë. Ai sqaroi se bëhet fjalë për një strategji të hartuar mirë dhe se BDI do të kandidojë në ato vende ku ka mundësi reale për të fituar. “Do t’i japim përkrahje partnerit të koalicionit në qytetin e Shkupit, në Butel e në Kumanovë dhe kjo reciprokisht kthehet në vlerë prej partnerit të koalicionit. Ky partneritet është në dobi të dy palëve dhe krijojnë mundësi njëri tjetrit”,- u tha Ahmeti banorëve të Butelit.
 
“Nuk desha të bëj një lojë që në fund nuk ka fitues. Unë desha që të hyjmë në këtë garë që të bëjmë edhe kthesa edhe të dalim fitimtarë në dobi edhe të shqiptarëve edhe të BDI-së si forcë e vetme e dalë nga një histori e gjatë e kombit shqiptar. Kështu që do të doja, ashtu siç u mirëkuptuam me strukturat udhëheqëse, të mirëkuptohemi ne të gjithë bashkërisht, sepse ju do të duhet të jeni ata ta frontit të parë që do të kërkoni përkrahje të pranishëm në këtë sallë me qytetarët, se veprimi ynë është i arsyeshëm është i logjikshëm dhe është shumë pragmatik në politikë. Ne duam të fitojmë aty ku fitoren e kemi të sigurtë dhe i gjithë potenciali ynë është vënë në shërbim të fitores në nivel kombëtar”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ndërkaq, bartësi i listës për këshilltar në Komunën e Butelit, Naim Saliu, të pranishmëve u premtoi se do të angazhohet për zbatimin e projekteve me të cilat do të përmirësojnë jetën e tyre në këtë komunë. Duke ftuar simpatizantët e tij gjithashtu tha se nuk i mungon guximi të ballafaqohet me të gjithë për të realizuar  premtimet.
 
“Do të angazhohemi për një jetë më të mirë në Komunën e Butelit që e duam. Për ne vota juaj është e shtrenjtë dhe obligim që të punojmë për të mirën e popullit tonë. Ju sigurojmë se ne kemi guxim të ballafaqohemi me të tjerët për hisen tonë që neve na takon, sepse ne nuk jemi ardhacak nga ndonjë vend tjetër, ne këtu jemi lindur, këtu kemi luftuar, këtu kemi rezistuar...”,- tha bartësi i listës në komunën e Butelit, Naim Saliu.
 
Të pranishmëve iu drejtua edhe shefja e shtabit zgjedhor në Komunën e Butelit, Halide Palloshi. Ajo kërkoi nga kreu i BDI-së ndërtimin e shkollës fillore në lagjen e Vizbegut që graviton në këtë komunë.
 
NAIM RAMADANI