Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, PDSh: Edhe malësia meriton shërbime cilësore

29.09.2017 13:33

Në komunat tona gjendja nuk është përmirësuar por ajo është përkeqësuar edhe më shumë, tha përpara banorëve të Dobërdollit kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi...

Ai për këtë përkeqësim akuzoi kryetarët e komunave të BDI-së të cilët kanë keqpërdorur mjetet e buxhetit të komunave dhe nuk kanë investuar asgjë nëpër komunat që kanë drejtuar. Sipas Thaçit, kryetarët e komunave nga radhët e BDI-së janë kthyer në milionerë duke ua kaluar edhe kryetarëve të komunave të VMRO-së e LSDM-së dhe, sipas tij, më 15 vjetor populli duhet t’i dënojë me votë për këtë keqpërdorim të parave të qytetarëve për përfitime personale. 
 
“Çështja e rrugëve, çështja e kanalizimit, ujit, ajrit të ndotur, çështja e mbeturinave  që lëvizin pandërprerë dhe digjen nëpër komuna, qytete dhe fshatra ku jetojmë ne, është  vetëm vulë e pasuksesit politik të këtij mashtrimi 16-vjeçar të Ali Ahmetit dhe  BDI-së. Para 16 viteve na thanë së na kanë çliruar, na thanë se na kanë realizuar të gjitha të drejtat. Sot ne drejtpërdrejt ballafaqohemi me të vërtetën e madhe, se jo vetëm që nuk jemi çliruar, po jetojmë më keq se çdo popull dhe çdo qytetar në Europë”,- tha kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Kandidati për kryetar nga radhët e kësaj partie në mes shumë premtimeve që iu dha banorëve të kësaj komune, tha se rinisë do t’i jepet prioritet duke hapur vende të reja pune në sektorin privat dhe atë publik, si dhe do të mbështesë të rinjtë edhe në fushën e sportit.
 
“Nëse më jepni besimin, atë besim do ta kthej në zhvillim cilësor, ekonomik dhe urban. Do të përmirësojmë kushtet nëpër shkolla si dhe do ta rrisim nivelin e procesit edukativo-arsimor, do të aktivizojmë dhe ndërtojmë ambulancat komunale, do të sigurojmë objekte dhe në vendet ku ka nevojë do të ndërtojmë edhe çerdhe për fëmijët tanë, do të rregullojmë çështjen e transportit publik”,- u shpreh kandidati për kryetar në komunën Negotinë – Vrapçisht – PDSh, Sami Aliji.
 
Në këtë tubim fjalim mbajti edhe bartësi i listës për komunën Negotinë –Vrapçish, Adem Saliu, i cili tha se fshatrat e malësisë nuk kanë kushte elementare për jetesë. Ai premtoi se këtyre fshatrave do t’u ofrohet shërbim shëndetësor, arsim cilësor dhe investime në infrastrukturë. 
 
“Do t’u ofrojmë shërbim shëndetësor edhe fshatrave të malësisë, çdo qytetarë do ta ndjejë veten se komuna do t’i japë mbështetje në punën e tij, në mirëqenien e jetës, pronën dhe shëndetin e qytetarit tonë. Të nderuar qytetarë, këto edhe shumë premtime të tjera ne do t’i realizojmë, por duam mbështetjen tuaj më 15 tetor”,- tha bartësi i listës së PDSh-së për Komunën Negotinë-Vrapçish, Adem Saliu.
 
PDSh u bëri thirrje banorëve të Dobredollit që të votojnë e mbështesin ditën e zgjedhjeve për t’i përmbushur premtimet e tyre.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU