Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, Lëvizja BESA shpalos ofertën për Tetovën
29.09.2017 14:21
Kandidati për kryetar komune nga Lëvizja BESA, Bilall Kasami, mbrëmë ofertën e tij për një jetë të re u ka prezantuar banorëve të Porojit të Tetovës...

Kandidati për kryetar komune nga Lëvizja BESA, Bilall Kasami, mbrëmë ofertën e tij për një jetë të re u ka prezantuar banorëve të Porojit të Tetovës, ku u ka premtuar projekte dhe investime kapitale këtyre banorëve. Bilalli edhe më tej mbeti në qëndrimin se kazerma e Tetovës duhet të marrë një pamje tjetër dhe të fillohet të ndërtohen sa më shumë parqe të gjelbra si dhe qendra rekreative sportive që të rinjtë të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë të njëjtat. Sipas tij, këto investime do të vijnë në partneritet publiko-privat. Kasami më tej shtoi se investimi miliona euro që i ka kushtuar komunës së Tetovës për ujësjellësin, i njëjti ka dështuar pasi edhe sot banorët nuk kanë ujë të pijshëm 24 orë dhe se i njëjti humbet në rrjetin e vjetërsuar në Tetovë dhe si pasojë e saj edhe infrastruktura rrugore e Tetovës shkatërrohet.
“Ne kemi përpiluar një ofertë e cila është reale edhe pse oponentët tanë politik po mundohen që të kenë ofertë, të mos arrijnë të kuptojnë se si mund që një subjekt politik të realizojë një ofertë të tillë, e cila nuk është realizuar për këto dy dekada të sistemit plural. Nuk është realizuar sepse me politikanë të paaftë nuk mund të realizohet. Parashtrohet pyetja se Lëvizja BESA po ka një ekip të mirë dhe ekip të shkëlqyer dhe po që Lëvizja BESA po ka dhe po shihet çdo ditë prezanton projekte serioze, gjigante për Tetovën, të cilat të tjerët as që kanë mundur t’i ëndërrojnë. Ne dalëngadalë po i bëjmë realitet për Tetovën dhe parashtrohet pyetja gjithë këto po nga financat bile, shkojnë dhe i banalizojnë çështjet edhe për projektet të cilat realizohen me partneritet privat publik të cilët edhe ato i kanë përmendur më herët. Me një partneritet të tillë do të realizohet edhe investimi në kazermën e Tetovës, e kamë përmendur edhe mbrëmë që kazermat gjithandej në Maqedoni u janë ndarë autoriteteve lokale që t’i shfrytëzojnë në interes ekonomik të vendit. Edhe ato të cilat ata mundohen t’i promovojnë si një vlerë të re, siç është furnizimi me ujë për Tetovën, nuk është ashtu siç ata e kanë premtuar, pasi Tetova nuk ka pasur mungesë të ujit mbi qytet, por Tetova ka pasur mungesë të ujit nëpër çezmat e tyre dhe më tutje ajo nuk është realizuar, pasi nuk është bërë investimi atje ku duhet, investimi në rrjetin e distribuimit të ujit për pije nëpër qytet dhe nëse nuk e ke të rregulluar këtë rrjet ai ujë të cilin t’i e fut nëpër rrjet, ai ujë shkon në tokë dhe ne e shohim që këtë investim milionësh ata e hedhin në tokë”,- tha kandidati për kryetar komune në Tetovë – BESA, Bilall Kasami.
Kasami më tej shtoi se në programin e Lëvizjes BESA ka vende edhe për mërgimtarët dhe pikërisht, sipas tij atyre, duhet t’u jepet mundësi që të vijnë dhe të investojnë në vendlindjet e tyre dhe me këtë investim, sipas Kasamit, do të zhvillohet ekonomia lokale dhe do të hapen vende të reja të punës dhe në të njëjtën kohë rinia tetovare do të ketë mundësi për punësim në vendin e tyre. Sipas Kasamit, e gjitha kjo mund të ndodhë vetëm se duhet një vullnet dhe ekip profesional, një gjë të tillë e ka vetëm Lëvizja BESA.
VISAR SADIKI
