Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, BDI shpalos vizionin për Haraçinën

29.09.2017 15:54

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdoi fushatën në Komunën e Haraçinës...

Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, ftoi për garë korrekte dhe zgjedhje të lira dhe demokratike. Ai u premtoi votuesve të kësaj ane se BDI, si pjesëmarrëse në pushtetin qendror, do t’i japë mbështetje kryetarit të ardhshëm dhe Këshillit të komunës. “Ashtu siç ka gjet përkrahjen në vazhdimësi Haraçina, edhe më fuqishëm në të ardhme këtë përkrahje do ta ketë gjenerata më e re sesa Brahimi”,- tha Ahmeti. 
 
“Ne jemi njerëz që jetojmë në të njëjtën hapësirë dhe ne duhet paqësor të jemi dhe paqësisht të jetojmë, pavarësisht garave. Le të ketë gara sepse njerëzit në një mendje nuk mund t’i bëjmë. Por, të gjithë nuk kanë kontribuar njësoj për ditët që jetojmë sot dhe përgjegjësinë më të madhe e kanë për këtë hapësirë, për këtë vend, ata që kanë dhënë edhe gjak edhe djersë. Prandaj ne jemi të mëdhenj dhe i thërrasim të gjithë që të vijnë me ne, se ne keq Haraçinës nuk i kemi bërë. Haraçinën bashkë në histori e kemi fut dhe bashkë në histori duhet ta mbajmë, sepse Haraçina i takon historisë”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti sqaroi se BDI ka marrëveshje me LSDM-në për disa komuna. “Për Qytetin e Shkupit ne përkrahim kandidatin e LSDM-së, ata përkrahin kandidaturat tona në Tetovë, Gostivar dhe këtu nuk ka as marrëveshje të fshehta dhe as pazare të fshehta. Politika është reciprocitet, sa më ndihmon aq edhe të ndihmoj”,- theksoi Ahmeti para banorëve të Haraçinës. 
 
Ndërkaq, kandidati për kryetar komune nga radhët e BDI-së, Isuf Bislimi, shpalosi programin e tij zgjedhor për mandatin katërvjeçar në Haraçinë. Ndërtimi i ujësjellësit, kanalizimit dhe rregullimi i rrugëve janë disa nga premtimet e Bislimit. Por, sipas tij, Haraçina bën pjesë në grupin e komunave të varfra dhe pa mbështetjen e qeverisë nuk mund të bëhet shumë. 
 
“Unë në këtë detyrë vi me program timin, së bashku me ekipin tim, këshillin, bashkëpunëtorët e mi të lëmive dhe fushave të ndryshme, njëkohësisht duke pasur edhe përkrahjen e partisë e cila është participuese në qeveri, pasi komuna e Haraçinës s’bën pjesë në grupin e komunave të varfra dhe gjithë zhvillimi i saj varet nga pushteti qendror dhe donacionet e tyre”,- tha kandidati i BDI-së për kryetar komune, Isuf Bislimi.
 
Bislimi falënderoi kryetarin aktual për përgatitjen e tre projekteve, me të cilat do të fillonte punën pas marrjes së mandatit: projektin për kanalizimin, atë për godinën e komunës dhe projektin për çerdhen. Në projektin e kandidatit të BDI-së është paraparë edhe sistemimi me ujë të pijshëm i të gjithë banorëve të komunës, rregullimi i të gjitha rrugëve dhe ndriçimi publik në komunë, zhvillimi i arsimit, ku përveç dy shkollave ekzistuese, parashihen edhe projekte për dy shkolla periferike, gjegjësisht ndarja e shkollave ekzistues në dy drejtori. Për modernizimin e shkollave, Bislimi premtoi se përveç fondeve nga qeveria do të sigurojë edhe donacione nga, siç tha, ndërmarrjet komunale të interesuar për këtë. 
 
SHPËTIM NUREDINI